UET, kritika Thaçit për RTK-në
Unioni Europian i Transmetuesve ka kritikuar Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke e akuzuar se Radio Televizionin e Kosovës e ka shndërruar në "krah medial të partisë në pushtet". "Presioni nga qeveria juaj e ka transformuar RTK-në, nga një furnizues i balancuar i lajmeve, në një krah medial të partisë në pushtet dhe tuajin si Kryeministër", thotë pos tjerash, Jean Reveillon, kryesues i këtij Unioni, në një letër dërguar Kryeministrit Thaçi. Në letër thuhet se "zërat kritikë apo alternativë kishin qenë të shtypur". "Ajo që po shohim është presioni nga qeveria e Kosovës, që RTK-ja të shndërrohet në një transmetues shtetëror jokritik", shkruan në letrën e tij, kryesuesi i Unionit Europian të Transmetuesve, raporton agjencia DPA nga Gjeneva. Reveillon ka kërkuar që Kryeministri Thaçi të ndërmarrë "masa urgjente" për rikthimin e autonomisë në RTK.