E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria, me deficit buxhetor deri më 2012

Qeveria bullgare parashikon se vendi do të shënojë deficite të ulëta buxhetore për të gjithë periudhën 2010-2012, por këto deficite pritet të mos krijojnë probleme. Sipas planit buxhetor afatmesëm, Bullgaria do të shënojë një deficit prej 0.7 për qind për vitin e ardhshëm dhe do ta reduktojë deficitin gradualisht deri në 0.4 për qind në vitin 2012. Ministria bullgare e Financave ka parashikuar të ardhura prej 12.5 miliardë eurosh në vitin 2010, ndërsa shpenzimet do të jenë 12.71 miliardë euro. Bullgaria zbaton politikën e kursit fiks të këmbimit të vendosur pas krizës së vitit 1997, si një zgjidhje për problemin e destabilitetit të gjatë financiar dhe hiperinflacionit. Kjo politikë nuk e lejon qeverinë të jenë fleksibël në shpenzime dhe as të ngrejë deficit, si parakusht për mbrojtjen e kursit fiks të këmbimit.

Qeveria bullgare nuk parashikon rritje taksash për vitin e ardhshëm, ndërsa ministri i Financave, Simeon Djankov, deklaroi se plani i qeverisë qe ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 20 në 16 për qind rreth vitit 2013. Bullgaria u godit rëndë nga kriza aktuale botërore, por disiplina financiare e viteve të shkuara e shpëtoi nga dorëzimi te Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›