E Diel, 1 Nëntor 2026

Qymyri nuk na duhet gjë?

Gjatë këtyre ditëve është riaktualizuar në një masë të madhe në qarqe të larta vendimmarrëse në botë debati që ka të bëjë me çështjet mjedisore, e që vjen para së gjithash si rezultat i shfrytëzimit të resurseve natyrore në mënyrë të pakontrolluar.

Europa po ballafaqohet vazhdimisht me këtë problem në mënyrë të theksuar në dekadat e fundit. Administrata e re amerikane e ka fuqizuar në axhendën e saj politike, problemin e mjedisit global. Po ashtu, një pjesë e madhe e vendeve të zhvilluara kërkojnë të sanksionohet shfrytëzimi i linjitit si gjenerues i energjisë elektrike. Ngrohja globale po bëhet një problem i theksuar i të gjitha vendeve dhe shoqërive. Takimet e fundit që po mbahen në vende të ndryshme po dërgojnë mesazhe të qarta se shfrytëzimi i linjitit për prodhimin e energjisë do të duhej të vendoset në një kontroll të plotë. Afërmendsh, që goditjen më të madhe nga këto politika globale do ta marrin vendet e vogla dhe ato që janë në zhvillim, në mos për asgjë tjetër, për shkak të limitit ose mos pasjes së burimeve të tjera në dispozicion(në shumicën e rasteve). Sepse, shtetet e mëdha do të kenë nevojë shumë më tepër për energji dhe korporatat e këtyre vendeve janë aq të fuqishme saqë politikë-bërësit do ta kenë të vështirë të fitojnë beteja me këta gjigantë prodhues. Po ashtu, në bordet e këtyre korporatave janë personalitete të shquara të jetës politike dhe ekonomike dhe reflektimet e interesave të tyre nuk mund t‘i përballojnë grupet politike. Do të mbetet problem i hapur se si do t‘i trajtojnë administratat e shteteve të zhvilluara kërkesën e vendeve që përdorin këtë resurs natyror për gjenerimin e energjisë elektrike.

Në këtë vorbull të ngjarjeve që po ndodhin, Kosova siç duket do të goditet më së rëndi, ajo do t‘i ndiejë këto politika në kurriz të zhvillimit ekonomik të saj, ndoshta edhe sepse niveli i zhvillimit ekonomik e industrial të Kosovës po fillon me vonesë, dhe nevojat tona janë tjera në krahasim me ato të vendeve të zhvilluara.

Vendi ynë, i cili posedon 1/3 e rezervave të gjithmbarshme të linjitit në Europë dhe të pestat në botë siç duket nuk do të mund të shfrytëzojë këtë resurs për një progres më të fuqishëm ekonomik. Basenet tona të linjitit me një vlerë të përafërt rreth 300 miliard euro, nuk do të kenë vlerën e tyre të çmuar për një progres më të theksuar ekonomik. Pse ne vonohemi aq shumë në zhvillimin e proceseve dhe paguajmë kosto aq të shtrenjtë? Pse Kosova me të gjitha këto resurse të mëdha natyrore po shndërrohet në treg të Serbisë? Pse ne duhet të paguajmë blerjen e energjisë elektrike me çmime tepër të shtrenjta nga tregtaret e ndryshëm?

Këto politika të gabuara e vendosen qeverinë tonë në thumb të kritikës edhe nga Brukseli. Në raportin e fundit të progresit, sektori i energjisë ishte tepër i kritikuar, dhe në këto dy vite lidershipi ynë në këtë fushë më shumë ka bërë regres sesa ndonjë progres për t‘u përmendur. Pse u ndërpre projekti Kosova C? A e humbi Kosova zërin më të fuqishëm ekonomik në arenën ndërkombëtare? Bota nuk na pret ne, ajo ecën dhe zhvillohet, e bashkë me zhvillimin lind nevoja për ndryshim politikash.

Vendimi i qeverisë sonë për të mbyllur blloqet e Kosovës A për ne është lajm jo i mirë, thjesht sepse nuk kemi alternativë tjetër. Do të ishte i marrë gjithkush të mendonte se Kosova A nuk duhej të mbyllej. Por, mosfillimi i ndërtimit të Kosovës C, e vendos në pikëpyetje të madhe të ardhmen e furnizimit me energji të Kosovës, prandaj e keqja më e vogël është mbajtja në punë e Kosovës A në kurriz të mjedisit. Klasa udhëheqëse politike e jona, e në veçanti Komiteti Drejtues i projektit Kosova e Re, u treguan të pazotë dhe shkurtpamës për ta menaxhuar një projekt me aq shumë ndikime pozitive për vendin tonë.

Plogështia vendimmarrëse e kësaj qeverie bëri që të humbim mundësinë që qytetarët tanë dhe shteti ynë të del nga varfëria. Vetëm me një sektor, shteti nuk mund të zhvillohet, po ashtu koncepti vetëm se me forcat tona do ta ndërtojmë vendin është koncept i tejkaluar dhe i gabuar dhe me veti do të bartë shumë risqe të mëdha për të ardhmen e vendit tonë. Kjo qeveri me politikat e saj, largoi kompanitë, që mund të ishin partner në këtë sektor dhe përfitues të përbashkët në këtë fushë.

Qeveria duhet të marrë hapa të shpejtë në fushën e energjisë elektrike, duhet të krijojë politika të besueshme për afrimin e investitorëve të jashtëm, duhet ta ndihmojë KEK-un në arritjen e një performance të qëndrueshmërisë ekonomike, duhet të ndërpresë ndërhyrjen e Serbisë te konsumatorët tanë, duhet të dizajnojë tenderin për 1000 MGW për fazën e parë në mënyrë urgjente.

Në qoftë se qeveria nuk i ndërmerr këta hapa ne do të paguajmë kosto tepër të shtrenjtë politike dhe ekonomike. Në dy vitet e kaluara kësaj qeverie i ka munguar vullneti, guximi dhe dija për t‘u marrë me këtë projekt dhe ajo zgjodhi rrugën më të lehtë që mjetet e taksapaguesve kosovarë t‘i orientojë në blerje të energjisë.

Prandaj, është koha e fundit të ndryshohen këto politika të këqija. Ne duhet të ndërtojmë një vizion ekonomik, duhet të kemi një program zhvillimor për vendin tonë. Duhet të kemi politika stabile ekonomike dhe pa këta hapa, nuk do të kemi progres ekonomik, dhe e ardhmja e vendit tonë do të jetë e vështirë.

* Ish-ministër i Energjisë dhe Minierave dhe nënkryetar i Komisionit të Kuvendit të Kosovës për Energjinë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›