Tatimet: Dënohesh po nuk denoncove
Tatimet janë përfshirë në një fushatë të gjerë, për të denoncuar korrupsionin. Nën moton, "Kush përfshihet në korrupsionin tatimor ose evazionin fiskal dëmton shërbimin që TI meriton", me mbështetje të programit amerikan USAID, administrata tatimore synon të luftojë evazionin dhe korrupsionin. Mesazhi i përgjithshëm i fushatës është se përmbushja e detyrimeve tatimore është një detyrë qytetare që ndikon në integritetin e të gjithë sistemit. "Qëllimi ynë kryesor është të ndërtojmë një sistem tatimor të bazuar në përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore, që krijon besimin e publikut në objektivitetin, kompetencat dhe integritetin e administratës tatimore", tha drejtori i përgjithshëm i DPT-së, Artur Papajani. Çdo denoncim në linjën falas në DPT merret ndërmjet një sistemi automatik. Denoncimet përcillen për ndjekje te Njësia e Hetimit të Brendshëm për çështje korrupsioni, ose te Drejtoria e Hetimit Penal për ato të evazionit fiskal. Telefonatat në linjën e denoncimit janë konfidenciale dhe mbrohet anonimiteti i burimit të informacionit.