Serbët të marrin pjesë në zgjedhje
Në një debat për BBC-në, njëra nga përfaqësueset e Këshillit Kombëtar Serb, Rada Trajkoviq, tha se serbët e Kosovës duhet të provojnë që të organizojnë jetën e tyre në Kosovë. "Serbët duhet që patjetër të marrin pjesë në zgjedhje, sepse mendoj se kjo është mënyra që t‘i ruajmë ata", tha ajo. "Unë nuk mund të garantoj se institucionet në Prishtinë do të punojnë në mbrojtjen e serbëve në Kosovë, por ne duhet të bëjmë çdo gjë që të provojmë e të organizojmë jetën tonë në një mënyrë që do të mundësonte që populli të qëndronte", tha zonja Trajkoviq. Ajo shtoi se rasti më i mirë për serbët do të jetë marrja e përgjegjësive në komunat e reja me shumicë serbe, që pritet të krijohen menjëherë pas zgjedhjeve lokale. Trajkoviq i bëri thirrje Beogradit zyrtar që të mos kërcënojë qytetarët serbë me sanksionim, nëse marrin pjesë në zgjedhje.