E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Po pasuron një pakicë dhe varfëron shumicën e shqiptarëve

25/01/2009  PS-ja akuzon Berishën për keqqeverisje

Partia Socialiste përmes numrit dy të grupit parlamentar të saj, Erion Braçes, ka akuzuar qeverinë “Berisha” se gjatë viteve të qeverisjes së tij është kujdesur për të pasuruar vetëm familjarët e tij, duke lënë në gjendje të mjerueshme ekonomike pjesën tjetër të popullsisë shqiptare. Për të vërtetuar akuzat e tij, ai ka sjellë në vëmendjen e opinionit publik gjatë një konference për shtyp vlerësimet e bëra nga “Gallup Balkan Monitor”. “Të dhënat dëshmojnë qartë se qeverisja familjare e Sali Berishës vazhdon të na vjedhë rëndë, madje më rëndë se administrata në Serbi, në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnjë, Kroaci, Kosovë. Gjysma e shqiptarëve mendojnë se qeverisja ‘Berisha’ po e drejton vendin keq, ndërsa 42 % vlerësojnë pozitivisht. Qeverisja familjare e Sali Berishës ka bërë që 71 % e shqiptarëve të gjykojnë kushtet ekonomike të vendit jo të mira”, - tha Braçe. Ai tha se Kryeministri po e ndan vendin në një pakicë gjithnjë e më të vogël shumë të pasur, shumë të lumtur me të ardhurat e saj dhe një shumicë gjithnjë e më të madhe të varfër, të pamundur të gjejë punë, të jetojë me të ardhurat që ka vjedhur vazhdimisht. “Kjo gjendje është arsyeja pse Sali Berisha duhet të largohet nga drejtimi i vendit. Sali Familja është e keqja e çdo familjeje dhe e mira e madhe e familjes së tij dhe klientëve të saj”, - përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›