Dosjet, PD nuk pranon kushtetuesen
25/01/2009 Anëtari i komisionit të Ligjeve, Eris Hoxha jep argumentet për mosankimimin e ligjit
“Kemi të bëjmë me konflikt interesi, pasi atyre u bie të gjykojnë për veten e vet”
Mazhoranca këmbëngul në gjykimin e saj se Gjykata Kushtetuese nuk mund të gjykojë kushtetutshmërinë e ligjit për lustracionin. Deputeti i Partisë Demokratike, anëtari i Komisionit parlamentar të Ligjeve Eris Hoxha, gjykon se ky institucion nuk mund të gjykojë për një çështje që i prek në mënyrë të drejtpërdrejtë ata. Duke qenë se anëtarët e Kushtetueses janë subjekte të ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, për deputetin Hoxha ata nuk mund të vendosin dot për të.
Ankimimi
Menjëherë pas deklarimit të socialistëve se do të ankimojnë ligjin për lustracionin në Kushtetuese, deputetët e PD-së, me votat e së cilës ky ligj u miratua nga Kuvendi, kanë deklaruar se anëtarët e kësaj gjykate kanë konflikt interesi dhe se nuk duhet ta marrin në shqyrtim këtë çështje. Kjo është mbrojtur përmes argumenteve ligjore edhe nga deputetë që janë njohës të mirë të legjislacionit shqiptar. “Sigurisht që kemi të bëjmë me konflikt interesi, pasi atyre u bie të gjykojnë për veten e vet. Pra, të gjykojnë për pronat e tyre, divorcet e tyre, për kontratat që ata lidhin vetë, pra ata të gjykojnë veten. Ligji është shumë i qartë: kur ka konflikt interesi, nuk mund të marrësh dot vendim. Siç nuk u lejohet zyrtarët të lartë të shtetit apo çdo niveli, edhe gjyqtarët nuk mund të gjykojnë për një çështje që i prek në mënyrë të drejtpërdrejtë ata. Janë subjekte të ligjit, do të verifikohen dhe nuk mund të vendosin dot për këtë ligj”, - tha në një prononcim për “Metropol” deputeti i PD-së Hoxha. Nga ana tjetër, projekti është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët gjithashtu janë subjekte të verifikimit të pastërtisë së figurës morale. Lidhur me këtë çështje deputeti Hoxha nuk mendon se kemi të bëjmë me një konflikt interesi. Ai thotë se në të tilla kushte do të ndodheshim nëse ligjvënësit do të bllokonin implementimin e ligjit, pra procesit të verifikimit. “Ligji është miratuar, nuk është bllokuar implementimi i tij. Pra, ne e kemi shprehur vullnetin tonë politik duke miratuar këtë ligj, çka do të thotë se ne jemi dakord që të kontrollohemi. Nëse do të bllokonim verifikimin, atëherë në këtë rast do të flisnim për konflikt interesi”, - vijoi ai.
Ligji
Ligji i miratuar nga Kuvendi në fund të dhjetorit, pasi të hyjë në fuqi në fund të këtij muaji, do të nisë nga puna për ngritjen e Autoritetit të Verifikimit të Figurës, organ i cili do të kryejë verifikimet e zyrtarëve të lartë dhe atyre të zgjedhur.
Mungon reagimi
Nëse ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit ose jo, nëse marrin në gjykim kushtetushmërinë e ligjit për lustracionin, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk janë deklaruar që nga fillimi i çeljes së këtij debati. Ata fjalën e tyre pritet ta thonë kur PS-ja të depozitojë pranë tij kërkesën për shfuqizimin e ligjit për dosjet si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe pezullimin e veprimit të ligjit deri në marrjen e vendimit nga gjykata. PS-ja pritet ta depozitojë kërkesën menjëherë pas hyrjen në fuqi të tij, pas një jave.
Ngritja e Autoritetit
Predispozicioni i mazhorancës për të lejuar implementimin e ligjit në kohë sa më të shkurtër do demonstrohet tek afati i ngritjes së Autoritetit të Verifikimit të Figurës. Negociatat mes saj dhe opozitës për të zgjedhur katër anëtarët e Autoritetit do të duan kohën e tyre të nevojshme, ndonëse ligji përcakton të drejtën e Kuvendit për të emëruar kandidatë nga shoqëria civile, në rast se vendi i një apo më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh.
Detyrimi për kandidatët
Me ngritjen e Autoritetit çdo person që do të emërohet apo dhe zgjidhet, para emërimit duhet të marrë dëshminë e verifikimit nga Autoriteti. Në rastin e të zgjedhurve në Kuvend në organet e qeverisjes vendore kandidatët i nënshtrohen verifikimit përpara regjistrimit si kandidat në procesin përkatës zgjedhor. KQZ-ja nuk e regjistron kandidatin në rast se ky nuk paraqet dëshminë e verifikimit.
Verifikimi i deputetëve
Autoriteti brenda 6 muajve nga fillimi i funksionimit të tij përfundon verifikimin e pastërtisë së figurës së çdo funksionari. Sipas këtij afati, nuk dihet nëse deputetët që e kanë miratuar këtë ligj do të verifikohen ose jo para përfundimit të këtij mandati 4-vjeçar. Ajo që është e sigurt janë dyshimet që vetë deputetët kanë krijuar për kolegët e tyre gjatë debateve të ashpra politike.