E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth 31 % e buxhetit të 2009-s për kujdesin parësor

25/01/2009  Infrastruktura shëndetësore

Zhvillimi i infrastrukturës shëndetësore në kujdesin parësor do të marrë nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për 2009-n rreth 31.6 për qind të fondeve, që do të përdoren jo vetëm për rikonstruksionin e ambulancave, por dhe për shtimin e pajisjeve mjekësore, që mungojnë në masë pranë këtyre qendrave. Konkretisht, do të jenë rreth 23 ambulanca në të gjitha rrethet që do të përfitojnë gjatë këtij viti rikonstruksion të ambienteve, ndërsa vetëm një prej tyre është vijim i projekteve të ndërmarrë gjatë vitit të shkuar. Pjesa dërrmuese e qendrave shëndetësore dhe e ambulancave në lagje vuajnë mungesën e pajisjeve të duhura mjekësore për diagnostikimin dhe kurimin e pacientëve, ashtu siç duhet, çka bën që shumica e fondeve të shkojnë për këtë qëllim. Megjithatë, prioritet në blerjen e këtyre aparaturave do të jenë qendrat shëndetësore në zonat periferike, sidomos në Paskuqan, ku do të përmirësohen laboratorët kimikë-biologjikë si dhe Qendra e të Verbërve. Përveç këtyre ndryshimeve këtë vit një tjetër reformë e marrë është ajo e shtrirjes së sigurimeve në kujdesin spitalor duke filluar nga 1 janari i këtij viti, model i cili do të jetë i ngjashëm me qendrat e kujdesit parësor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›