E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Prokuroria të hetojë abuzimet me Durrës-Kukës

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste ka përforcuar kërkesën e saj, drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për nisjen e hetimeve ndaj Berishës, Bashës dhe Olldashit në lidhje me abuzimet në rrugën Durrës-Kukës. “Shqetësimi ynë i përsëritur kanë qenë procedurat anti-ligjore, korruptive e kriminale nga pikëpamja penale, të Qeverisë e Sali Berishës në prokurimin e këtij operacioni kriminal. Këto procedura kanë shtuar kostot në mënyrë marramendëse në ndërtimin e kësaj rruge, të cilat, janë materializuar në shpërdorime po kaq të mëdha të parave publike të shqiptarëve. Njëherësh dhe në përfitime marramendëse për aktorët e këtij operacioni, Sali Berishën si kumbari politik i tij, Lulzim Basha si prokuruesi i këtij operacioni, Sokol Olldashi si faturpaguesi dhe kompanitë në rolin e materializuesit!”, - tha Braçe. Sipas tij paratë e shqiptarëve po shpërdorohen, shpërdorimi i tyre po shtohet, po aq sa kosto e ndërtimit të rrugës shtohet pas çdo ore. Për të faktuar këtë gjë Braçe pohon se kontrata e Qeverisë me kompanitë ka qenë për vlerën 416 mln euro, Sokol Olldashi e ka çuar vlerën fillimisht në 520 mln euro më pas 740 mln euro ndërsa FMN nga të dhënat e saj vënë në dispozicion nga qeveria, e tregon faturën në 826 mln euro. Si provë për këto akuza, deputeti socialist iu referua një dokumenti të hartuar nga Ministria e Financave për 6 mujorin e parë të vitit 2008. Në këtë dokument Financat i kërkojnë sqarime Ministrisë së Transporteve për milionat e rritura në koston e rrugës pa asnjë sqarim. Braçe i ka kërkuar veçanërisht ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, të bëjë publike vlerën e shpenzuar për ndërtimin e kësaj rruge. Interesimit të medias për të mësuar koston e kësaj rruge deri tani dhe çfarë buxheti ekstra do të marrë në vitin 2010, Ministri Olldashi edhe një herë ka refuzuar ti përgjigjet. Të hënën edhe kryetari i PS-së, Edi Rama i kërkoi Prokurorisë të marrë të pandehur Berishën, Bashën dhe Olldashin duke marrë shkak nga shembja e tunelit të Kalimashit javën e kaluar. Por ministri Sokol Olldashi e quajti atë normale dhe se shembje të tilla ndodhin kudo.

Ky lajm është publikuar: 11/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›