E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade në Bruksel: Ska ligj që ndalon investigimin e zgjedhjeve

Autori i Lajmit: Redaksia
Më datë 10 nëntor 2009, u zhvillua në Bruksel Konferenca e nivelit të lartë mbi perspektivat për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkani Perëndimor. Në këtë veprimtari ku morën pjesë përfaqësues të lartë të vendeve të Evropës Juglindore që mbulojnë çështjet e politikës së jashtme dhe të integrimit evropian, si dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian që mbulojnë çështjet e zgjerimit u diskutua për perspektivat e Ballkanit Perëndimor në këndvështrimin e raporteve të fundit të progresit të Komisionit Evropian ishte e pranishme dhe sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të PS-së, deputetja Arta Dade. Gjatë diskutimit në panelin me temë: Mbajtja e Ballkanit Perëndimor në rrugën e reformave: Kush po sfidon kë”, Dade theksoi se integrimi evropian është sfida më e rëndësishme për Shqipërinë që nga rënia e sistemit komunist. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare vuri në dukje rolin e Partisë Socialiste si një faktor vendimtar në përgatitjen dhe konsolidimin e terrenit për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Në tetë vjetët e qeverisjes së saj, tha më tej Dade, PS ka sjellë normalizimin gradual të situatës në vend, si dhe ka hedhur hapa të sigurt drejt një dialogu të qëndrueshëm e konstruktiv me partnerët evropianë dhe euro-atlantikë. Sipas saj integrimi i vendit në NATO, në prill 2008, është shembulli konkret i këtij vullneti të palëvizshëm të opozitës së majtë. Por integrimi në NATO nuk duhet keqpërdorur politikisht. Duke u ndalur në procesin zgjedhor Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare vuri në dukje se PS i ka kontestuar hapur shkeljet e rënda dhe manipulimet masive që u vunë re në votimet e 28 qershorit. “Ne kemi marrë vendimin për ta kushtëzuar hyrjen tonë në Kuvendin e Shqipërisë, me hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave në të gjitha ato pjesë të vendit ku ka kontestime dhe prova për dhunë, parregullsi dhe manipulime. Më 28 qershor PD dhe Kryeministri Berisha abuzuan me votat e shqiptarëve dhe me besimin e bashkësisë ndërkombëtare. Rezultati i zgjedhjeve, ku askush nuk fitoi mazhorancën, doli pas një procesi ku opozita u përball me dhunën e shtetit, me intimidimin e votuesve, me përdorimin e hapur dhe banal të fondeve publike në interesin elektoral të njërës palë dhe me përdorimin ekstrem të administratës shtetërore dhe kapaciteteve të saj në funksion të fitores së Partisë Demokratike”, - tha ajo ndërsa shtoi se siç e ka nënvizuar raporti final i OSBE/ODIHR, votat e shqiptareve u numëruan në një të tretën e tyre keq ose shumë keq. Sipas saj nuk ka ligj qe e ndalon investigimin e zgjedhjeve. Më tej Dade ka folur për domosdoshmërinë e një lufte reale kundër korrupsionit. Në këtë kuadër ajo theksoi se qeveria aktuale ka një rekord absolut të prezencës në radhët e saj të ministrave të hetuar nga drejtësia për skandale publike, të cilat kanë kushtuar dhjetëra jetë njerëzish dhe disa qindra milion euro të shpërdoruara. “Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, aktualisht Ministër i Brendshëm, ndodhet në hetim për një abuzim prej rreth 230 milion euro gjatë kohës që ishte Ministër i Transporteve dhe Punëve Publike. Ish-Ministri i Mbrojtjes, aktualisht Ministër i Mjedisit, është i hetuari kryesor i tragjedisë së Gërdecit, të marsit 2008, ku pas një shpërthimi në një depo zbërthimi municionesh, vdiqën 26 njerëz të pafajshëm”, - renditi ajo proceset penale ndaj ministrave. Një nga pikat që zuri vend të rëndësishëm në diskutimin e deputetes socialiste ishte dhe fakti se qeveria ka vijuar të shkelë liritë themelore të shtetasve. “Dhunimi i mediave, ish-pronarëve dhe të përndjekurve politikë, si dhe margjinalizimi i shtresave më të varfra, janë shfaqja e jashtme e një qeverisjeje që tenton të imponohet, në vend që të pranohet”, - tha ajo.

Ky lajm është publikuar: 11/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›