Durrës, tmerroi lagjen me armë, arrestohet
Terror me armë në lagje, arrestohet. Në mes të ditës, një 37- vjeçar, nga Durrësi, ka qëlluar me armë zjarri në ajër në lagjen numër 2 të qytetit bregdetar, duke përhapur panik te banorët e zonës, ndërsa lëvizte me automjetin e tij tip "Ford", me targa të huaja. Artor Tirjaku, banor i kësaj lagjeje, ka qëlluar disa herë me armë zjarri në ajër dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes me mjetin me targa AF 864 FX. E lajmëruar nga banorë të zonës, policia ka arritur të identifikojë autorin dhe të organizojë shërbimet për kapjen e tij. Sipas burimeve zyrtare të policisë, disa orë pas ngjarjes Tirjaku u vetëdorëzua së bashku me armën e zjarrit, pistoletë, model 54 me 5 fishekë, të cilat i mbante pa leje. Ndaj tij janë ngritur akuzat e prishjes së qetësisë publike dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve.