E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet e mbytur në Drin 38-vjeçarja e humbur

Merr fund enigma e humbjes së 38-vjeçares, Miranda Qemali, që ditë më parë u largua nga shtëpia pa adresë në drejtim të paditur. Trupi i saj i pajetë u gjet i mbytur në lumin e Drinit të Zi. 38-vjeçarja Miranda Qemali, nënë e dy fëmijëve, aktualisht banore e lagjes numër 13 në qytetin e Durrësit, para gati një muaji erdhi së bashku me familjen e saj në fshatin Brezhdan të Peshkopisë te prindërit e bashkëshortit të saj, ku në rrethana krejt misterioze largohet nga shtëpia në drejtim të paditur, duke mos u bërë e gjallë për ditë të tëra, edhe pse agjentë të policisë kriminale në Dibër u vunë në kërkim të saj.

Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër, bëjnë me dije se dje, rreth orës 13:30, ajo më në fund pas kërkimesh të shumta nga ana e policisë, është gjetur e mbytur në lumin e Drinit të Zi, në fshatin Vajmëllenj. Trupi i pajetë është gjetur rreth 100 metra poshtë urës së këtij fshati, i nxjerrë nga uji në breg të lumit.

Policia vazhdon të mos sqarojë ende rrethanat që çuan në largimin nga shtëpia të 38-vjeçares, nënë e dy fëmijëve. Kufoma u pa rastësisht nga kalimtarë të rastit të fshatit, të cilët lajmëruan menjëherë policinë, e cila erdhi në vendngjarje së bashku me oficerë të policisë gjyqësore, për këqyrjen e kufomës dhe nisjen e hetimeve për të nxjerrë shkaqet që e çuan Miranda Qemalin për t‘i dhënë fund jetës, duke u mbytur në ujërat e lumit të Drinit të Zi. Nga hetimet paraprake rezulton se bëhet fjalë për një vetëvrasje, por përgjigjja përfundimtare pritet të dalë pasi ekspertët të kenë kryer autopsinë e trupit të pajetë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›