Braçe: “Prokuroria të thellojë hetimet për Fazlliçin”
Tiranë - Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Erion Braçe, ka kërkuar dje nga organi i akuzës të hetojë deri në qelizë të gjitha të dhënat e firmave të Damir Fazlliçit. “Pas lajmeve shumë të mira që keni dëgjuar gjatë tri orëve të para të ditës së punës do të doja që të riktheja në vëmendjen tuaj, por mbi të gjitha në vëmendjen e institucioneve ligjzbatuese të shtetit, posaçërisht të atyre që po hetojnë aferën e shitjes fiktive dhe pastrimit të parave përmes kompanive në pronësi të shtetasit serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Do të ishte një çështje penale krejt e zakonshme dhe hetim rutinë për shkelje të ligjeve fiskale dhe të atyre që ndalojnë pastrimin e parave të pista, nëse i dyshuari si keqbërës nuk do të ishte shpallur me nderime të mëdha mik i kryeministrit Sali Berisha dhe klient biznesi i studios legale të familjes së tij”, - është shprehur Braçe. Nënkryetari i grupit socialist ka vënë dje theksin dhe mbi dy kompani të tjera të Fazlliçit, të cilat kanë shitur aksionet, por që në institucionet zyrtare nuk ekziston kontrata e shitjes. “Në fakt janë dhe dy kompani të tjera të regjistruara në Shqipëri me aktivitet të gjerë në Shqipëri dhe natyrisht të shitura njësoj si kompania ‘Croun Acuizition’. Po prapë në Shqipëri. Bëhet fjalë për kompanitë ‘SRS Development’ dhe ‘Virtu Acuizition’, të themeluara në Tiranë dhe të regjistruara në të njëjtën ditë po prapë në Tiranë, të cilat kanë për aktivitet të tyre të paraparë në statutin e tyre atë të pjesëmarrjes në shitblerje të pronave të paluajtshme, studime ambientale e të tjera si këto, thuajse njëlloj si kompania ‘Virtu Acuizition’”, - tha Braçe.
30 Tetor 2008