“Fazlliç”, Prokuroria njihet me prova të reja për transaksionet
Habjon Hasani
Tiranë - Të tjera të dhëna të rëndësishme i janë shtuar listës së provave lidhur me aktivitetin tregtar të shtetasit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç. “Albania” ka mësuar dje se Prokuroria ka marrë në dorëzim disa të dhëna faktike, të cilat lidhen me veprime financiare të Fazlliçit, që duket se kanë lidhje me kompanitë që ai ka ngritur në Shqipëri. Më konkretisht, Fazlliç ka arritur të kalojë në llogarinë e tij personale të paktën 2 milionë e 500 mijë euro falë transaksioneve që janë kryer nga llogari bankare të Zvicrës, ndërsa dërguesja ka qenë një firmë, e cila mendohet se është qipriote, si dhe një firmë angleze. Një prej firmave, “Pluto co ltd”, ndërsa ajo angleze quhet “Rouservices”. Në të dyja rastet veprimet janë kryer nga Zvicra. Të dhënat Prokuroria i ka bashkëngjitur me dokumentacionin ekzistues, ndërsa paraprakisht mendohet se të dhënat bankare të dërguesit dhe të marrësit të sasisë së parave përkojnë me disa dërgesa dhe veprime që Fazlliçi i ka kryer nëpërmjet kompanive të tij në Tiranë.
Transaksionet
Lidhur me firmat që kanë kryer këto dërgesa për zotin Fazlliç, një prej firmave, e cila quhet “Pluto co ltd” dhe që mendohet se është e regjistruar në Qipro, rezulton se është e angazhuar në biznesin e shitblerjes së avionëve ose të dhënies me qira të avionëve dhe çarterave, ndërsa e njëjta firmë del nga të dhënat publike të shpalljeve në internet e lidhur edhe me një firmë me qendër në Majami në Florida. Megjithatë, kjo lidhje del paraprakisht nga një kërkim publik në faqet e shpallura të kompanive në internet. Sa i takon firmës tjetër, e cila quhet “Rouservices”, rezulton se kjo firmë operon nga Anglia dhe për nga të dhënat duket se zhvillon aktivitet të zgjeruar tregtar dhe bashkëpunime intensive me të tjera firma në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi, përtej lidhjeve të shpallura publikisht të këtyre firmave prokurorët shqiptarë janë në fazën e krahasimit të të dhënave për sa i takon marrëdhënieve tregtare të Fazlliçit në Shqipëri. Prokuroria e Përgjithshme i ka drejtuar prokurorët e rrethit Tiranë të përqendrohen sidomos në hetimin e firmës qipriote “Altaria Research Limited”. Fill pasi Prokuroria sekuestroi dokumentacionin, “Albania” zbuloi se pas firmës qipriote fshihej grupi i fuqishëm serb “Rudnap”, i cili përfaqëson një aset gati strategjik për Serbinë.
Të dhënat
Prokuroria është fokusuar në zbardhjen e firmës që bleu në mënyrë fiktive në vlerën 1 milion e 700 mijë euro kompaninë e zotit Fazlliç, ndërsa më tej do të verifikohet nëse firma në fjalë ka përfituar nga tenderat dhe fondet publike. Zbardhja e aktivitetit tregtar dhe e transaksionit të dyshimtë të zotit Fazlliç në Tiranë, nën konsulencën dhe ndihmën e familjarëve të zyrtarëve më të lartë shqiptarë, ka bërë që Prokuroria e Përgjithshme të japë udhëzime që çështja të ndiqet me vëmendje, pasi mund të bëhet fjalë për shumë më shumë sesa një shitje fiktive nga sa konstatohet deri tani. E njëjta firmë qipriote duket se zhvillon dy aktivitete të tjera, në Kroaci dhe në Vjenë, sërish si pjesë e grupit “Rudnap”. Duket se kjo pistë ka kuotuar dhe mundësinë e pastrimit të parave që përfitohen si pasojë e importimit të energjisë nga kompanitë serbe. Në regjistrin shtetëror të regjistrimit të firmave në Zagreb të Kroacisë rezulton se firma ”Altaria Research Limited” ka krijuar më 19 nëntor të vitit 2007 firmën ”Rudnap Energija d.o.o”. Gazeta ”Albania” disponon dokumente të marra në burime zyrtare kroate, të cilat saktësojnë se kompania e re, e krijuar në Kroaci (nga firma që dy muaj më parë kishte blerë gjoja kompaninë e Damir Fazlliçit në Shqipëri) është regjistruar në regjistrin tregtar kroat me Nipt: Tt-07/13527-2, me numër regjistri 080632088.
“Fazlliç”, hetimet mbështeten nga prokurorë të huaj
Hetimi në Tiranë për pastrim parash i serbo-boshnjakut Damir Fazlliç ka vënë në lëvizje dhe struktura hetimore të shteteve të tjera ku Damir Fazlliç kryen aktivitet tregtar. Madje, “Albania” ka informuar e para se pak kohë më parë, disa hetues të huaj kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë marrë kontakte me zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme. Pikërisht një burim i nivelit të lartë nga organi i akuzës e informoi “Albania”-n dy ditë më parë duke pohuar se drejtues të këtij institucioni kanë pritur hetues të huaj (ku njëri prej tyre po asiston prokurorët shqiptarë për hetimin e dosjes “Fazlliç”), të cilët morën të dhëna lidhur me aktivitetin e Fazlliçit në Shqipëri, në kuadër të verifikimeve që këta hetues po kryejnë në vendet e tyre. “Ishin hetues të huaj, të cilët duket se janë vënë në lëvizje pasi janë sinjalizuar se Damir Fazlliçi ka kryer veprime të dyshimta financiare në Shqipëri. Hetimi i prokurorëve shqiptarë ka ngjallur interes te kolegët e huaj”, - i ka thënë ditën e martë burimi “Albania”-s, duke refuzuar të japë të dhëna të detajuara për hetuesit e huaj që kanë vizituar Tiranën pak kohë më parë. Gjithsesi, “Albania” ka mundur të mësojë se hetuesit e huaj kanë qenë seriozisht të interesuar për të ngelur në kontakt dhe për të mos nënvleftësuar asnjë të dhënë që do të dalë nga hetimi shqiptar për Fazlliçin lidhur me aktivitetin e tij në Shqipëri. Aktiviteti tregtar i Damir Fazlliçit përfshin një hartë shumë interesante përsa u përket vendeve ku është zhvilluar. Vetë zoti Fazlliç, në prononcimet e tij publike për mediet shqiptare, ka deklaruar se ka prona në Shtetet e Bashkuara, Bosnjë dhe Zvicër.
Serbo-boshnjaku i lidhur me prokurimet në blerjen e energjisë
Të dhënat e mbledhura në Shqipëri nga aktiviteti tregtar i Damir Fazlliçit e lidh atë në mënyrë të drejtpërdrejtë me firmën “Rudnap”, e cila në vendin tonë shet energji elektrike. Zoti Fazlliç ka deklaruar se firma blerëse qipriote, "Altaria Research Limited", është e tija, por ende në Tiranë nuk është ndërruar emri i kompanisë nga "Croun Acquisitions" në "Altaria Research Limited". Por sikurse tregojnë të dhënat zyrtare,
firma qipriote "Altaria Research Limited" ka themeluar në nëntor 2007 në Zagreb kompaninë "Rudnap Energija d.o.o", pjesë e grupit "Rudnap". Nga të dhënat zyrtare rezulton se grupi "Rudnap" ka përfituar rreth 33 milionë euro nga taksat e shqiptarëve si pasojë e energjisë që i ka shitur KESH-it me prokurim të drejtpërdrejtë. Në vitin 2007 Damir Fazlliç e shiti fiktivisht kompaninë e tij “Croun Acquisitions” te kompania qipriote “Altaria Research Limited” në vlerën e 1.75 milionë eurove. Shitja nuk u regjistrua në regjistrin tregtar dhe në Tatime, ndërsa Damir Fazlliç deklaroi në Tiranë se qipriotja “Altaria Research Limited” është gjithashtu pronë e tij. Pra ia kishte shitur vetes. Por “Albania” ka vërtetuar se pikërisht firma qipriote “Altaria Research Limited” ka krijuar në Kroaci më 19 nëntor 2007 firmën “Rudnap Energija d.o.o”. Kjo e fundit është filial i rrjetit të grupit të fuqishëm serb “Rudnap”.
30 Tetor 2008