Ina Rama: “Trafiku i organeve? Serbët nuk kanë çfarë të hetojnë”
Kryeprokurorja shqiptare, Ina Rama, ka reaguar dje pas akuzave të prokurorit serb, Vladimir Vukçeviç, mbi refuzimin e kërkesës për hetim të trafikut të organeve të ushtarëve serbë. Sipas Ina Ramës, ky vendim për refuzim të hetimit nga Prokuroria e Përgjithshme shqiptare është në përputhje të plotë me të gjitha normat ligjore të shtetit shqiptar. Vendimi i Prokurorisë shqiptare nuk është aspak i nxituar, por është marrë në përputhje me të gjitha normat ligjore të shtetit shqiptar”, - ka deklaruar kryeprokurorja.
Kanë qenë akuzat tepër të ashpra të prokurorit serb Vladimir Vukçeviç ato të cilat kanë ngjallur menjëherë sqarimin për mediat të kryeprokurores shqiptare, që edhe një herë ka pohuar faktin se nuk kanë lejuar hetimin e serbëve. Gjatë paradites së djeshme prokurori serb ka deklaruar në mediat serbe se ka informacion se rreth 300 persona janë rrëmbyer dhe dërguar në Shqipëri, por sipas Vukçeviçit, kjo çështje duhet të hetohet nga Prokuroria shqiptare ose nga institucionet ndërkombëtare. “Por Prokuroria e Përgjithshme shqiptare e refuzoi kërkesën e Serbisë për të hetuar pretendimet e ngritura në librin ‘Gjuetia’ të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte”, - ka deklaruar dje prokurori serb.
Çështja
Në librin e saj Del Ponte flet për ekzistencën e një klinike në Gurrë të rrethit të Matit. Anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës grumbullonin ushtarë serbë dhe u hiqnin organet për transplantim. Gjatë takimit Prokuroria e Përgjithshme bëri prezente rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët (të kryera që në vitin 2005) që kanë zhvilluar hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorë të rrethit të Matit, në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi hetuesit e Hagës, së bashku me prokurorët e Matit, arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta. Për pasojë, Prokuroria shqiptare ka refuzuar edhe kërkesën e Prokurorisë serbe për të kryer një hetim mbi pretendimet e trafikut të organeve të ushtarëve serbë. Një vendim i tillë është ritheksuar nga kryeprokurorja Ina Rama edhe pas reagimeve të prokurorit në Beograd, duke thënë se refuzimi është i drejtë dhe në përputhje me ligjin.
Takimi
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka takuar tri ditë më parë prokurorin serb të Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili ka mbërritur në Shqipëri së bashku me zëvendësprokurorin e zëdhënësin e tij. Interesimi i prokurorit serb lidhet me pretendimet e ngritura në librin “Gjuetia”, të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, e cila është deklaruar se ka pasur trafik organesh të qytetarëve serbë në një bazë në veri të Shqipërisë. Megjithatë, pretendimet e prokurorit serb nuk kanë shkuar më tej se ato të librit të Karla del Pontes, pasi përveç denoncimit që bëhet në librin e Del Pontes, Vukçeviç nuk ka sjellë asnjë provë apo indice me vete që do të mund të jepte ”shenja jete” për këtë dosje që deri tani ka bërë veç jehonë mediatike, pasi gjurmët konkrete nuk gjenden askund. “Prokurorja e Përgjithshme bëri prezent gjatë takimit rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët (të kryera që në vitin 2005), që kanë zhvilluar hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorë të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi hetuesit e Hagës, së bashku me prokurorët e Matit, arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta”, - saktësonte tri ditë më parë lidhur me rezultatet e hetimit zyra e shtypit e prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.
“Kështjella prej rëre” e Karla del Pontes
Karla del Ponte, duke cituar atë që vetë ajo e ka përshkruar në libër si një “raport të besueshëm të dëshmitarëve”, deklaron se guerilët kosovarë kanë transportuar me qindra të burgosur serbë në veri të Shqipërisë. ”Ata u vranë dhe organet e tyre u morën”, - shkruan del Ponte në librin e saj ”Gjuetia”. Qeveria kosovare, e drejtuar nga Hashim Thaçi, i ka mohuar këto akuza duke i quajtur të pavërteta, ndërsa Rusia dhe Serbia kanë filluar hetimet për “krimet e luftës”. Del Ponte, ambasadore e shtetit të Zvicrës, është urdhëruar nga qeveria e saj të heshtë tani që jehona e librit të saj ka shkaktuar reagime të fuqishme kontradiktore mes palëve. Por pretendimet e shkruara në libër të Del Pontes janë kundërshtuar dhe nga dëshmia e ish-kryeprokurorit shqiptar Theodhori Sollaku, i cili ka thënë se “një delegacion i kryesuar nga Del Ponte erdhi në vitin 2004 dhe kërkoi investigim mbi këtë çështje. Në bashkëpunim u kryen kërkimet dhe të dyja palët pranuan se nuk ekzistonte asnjë shenjë e vetme që mund të mbështeste këtë pretendim”. Ministria e Jashtme e Zvicrës i ndaloi ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, promovimin e një libri që fliste kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Libri përshkruan masakrat, që, sipas Del Pontes, janë kryer nga ushtarët e UÇK-së, por Ministria e Jashtme e Zvicrës u shpreh kundër tij dhe kërkoi "kthimin e menjëhershëm" të Del Pontes në Argjentinë, ku ajo ushtron funksionin e ambasadores.
Pretendimet e Del Pontes u rrëzuan nga stafi i saj
Ish-zëdhënësja e Del Pontes, Florence Hartman, e akuzoi ashpër shefen e dikurshme duke deklaruar se gjithçka ishte veçse një fantazi e saj. Në një shkrim të botuar në të përditshmen zvicerane “Le Temps”, Florence Hartmann e vlerëson si të “papërgjegjshme” dhe të “padenjë” paraqitjen “si fakt i vërtetuar të diçkaje që ishte e pamundur të provohej në realitet”. “Zëra për trafik organesh i shoqërojnë gjithmonë konfliktet, por rrallë rezultojnë të vërteta”, - vlerësoi ish-zëdhënësja, duke nënvizuar se “ruajtja e zinxhirit të ftohtë dhe kushtet e asepsisë e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë zbatimin real të praktikave të tilla”. Pavarësisht nga kritikat dhe reagimet e shumta, Këshilli i Europës ka vendosur të hetojë seriozisht “akuzat” e Del Pontes në librin e saj të fundit. KE ka emëruar senatorin Dik Marti për të hetuar në lidhje me trafikun e organeve të të burgosurve serbë gjatë luftës në Kosovë. Senatori zviceran udhëtoi drejt Prishtinës për të hartuar një raport për këtë çështje. Ndërkohë, Prishtina dhe Tirana i kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura nga Del Ponte. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, emri i të cilit përmendet në rrëfimet e Del Pontes, ka deklaruar se pretendimet e ish-kryeprokurores janë të pabazuara. Ndërsa, ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, i cilësoi akuzat e ngritura nga Del Ponte si “trillime dhe absurditete”.
30 Tetor 2008