Meta: LSI-ja, program konkret për luftën kundër varfërisë dhe monopoleve
“Lëvizja e Gruas për Integrim (LGI), po intensifikon organizimin saj dhe besoj se Konventa Kombëtare e LGI-së më 6 mars do të jetë një ngjarje shumë e rëndësishme jo vetëm për ju dhe LSI-në, por në përgjithësi për jetën politike dhe shoqërore në vend”. Kështu u shpreh dje lideri i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi organizativ me Lëvizjen e Gruas për Integrim. Meta u shpreh se Konventa e LGI-së do të jetë një eveniment që do të demonstrojë shumë qartazi jo vetëm vullnetin e grave dhe të vajzave të LSI-së për të qenë shumë aktive dhe më të përfaqësuara jo vetëm në LSI, por në të gjitha institucionet qendrore dhe vendore në Parlament dhe në qeverisje, por njëkohësisht edhe të angazhuara me një program shumë konkret për integrimin e gruas në shoqërinë tonë. Meta tha se LSI-ja do të ketë një program konkret për forcimin e familjes shqiptare, e cila kërkon jo vetëm një rritje të autoritetit të gruas dhe nënës, por edhe një mbështetje për ta realizuar këtë rritje të autoritetit të saj nga ana e shtetit dhe e qeverisë, me politika sociale dhe konkrete. Duke vazhduar më tej, Meta u shpreh se ky angazhim tregon edhe një goditje kundër varfërisë në familje, sidomos në të gjitha ato raste kur gratë apo nënat, në raste të ndryshme, janë edhe kryefamiljare dhe kanë një përgjegjësi shumë më të lartë për familjen e tyre dhe për fëmijët e tyre. “Ndaj, në gjithë programin tonë të luftës kundër varfërisë, pra atë që kemi zhvilluar deri tani, garantimi i një "bonusi jetik" për familjet që jetojnë nën pragun e minimumit jetik, një prioritet të veçantë do të ketë mbështetja për gratë dhe në mënyrë të veçantë në raport me familjarët. Sepse nuk ka gjë më të rëndë në një shoqëri dhe nuk ka gjë më të rëndë për një nënë, e cila nuk është e sigurt edhe për ushqimin e fëmijës së saj, për mbarëvajtjen e fëmijës në shkollë, për të ndjekur edhe një shkollë publike”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
9 Shkurt 2009