E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritje pagash në të gjithë Gjyqësorin

Gjykata e Lartë propozon që pagat të rriten në të trija shkallët e pushtetit gjyqësor

Gjykata e Lartë propozon që nisma e Ministrisë së Drejtësisë për të rritur pagat e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit të shtrihet në të gjithë sistemin gjyqësor, duke prekur në këtë rast edhe Gjykatën Supreme. Burime zyrtare nga shkalla më e lartë e gjyqësorit në Shqipëri thanë për gazetën “Shqip” se ende nuk janë njohur me ndonjë material të ardhur nga ministria, ndërsa deklarojnë se nëse u kërkohet mendim, do të japin observacionet për projektligjin që po përgatit qeveria. Sipas të njëjtave burime, paga e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Dytë përllogaritet në bazë të përqindjeve të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe është e bazuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”.

Ndërkohë, paga e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, krahas këtij ligji, është e bazuar edhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”, si dhe në Kushtetutë. Duke marrë shkas nga nisma e qeverisë për të ngritur pagat në nivelet e ulëta të gjyqësorit, kryegjyqtarët në Shqipëri mendojnë se rritja duhet të realizohet në të gjithë sistemin, duke u bazuar në rritjen e shportës së çmimeve. Gjykata Supreme është e gatshme të bashkëpunojnë me qeverinë, në këtë rast me Ministrinë e Drejtësisë, për të dhënë mendime për draftin që po përgatitet, me qëllim përfshirjen e të gjitha grupeve të interesit në këtë projektligj shumë të rëndësishëm për pushtetin gjyqësor.

Gjyqësori ka kërkuar ndër vite që paga të rritet, me qëllim minimizimin e korrupsionit. Shpesh herë, kryegjyqtarja Shpresa Becaj ka këmbëngulur se “nuk ka sistem gjyqësor të korruptuar, por individë”. Në mbledhjen e fundit të një pjese të mirë të gjyqtarëve, e cila është zhvilluar në tentativë për të ngritur Konferencën Gjyqësore, shumë diskutantë, gjyqtarë nga e gjithë Republika, shprehën mendime dhe i kërkuan qeverisë të vërë dorë mbi pagat e sistemit gjyqësor. Ata mendonin se duke rritur pagat e gjyqtarëve, minimizohet korrupsioni dhe ngrihet lufta ndaj krimit të organizuar dhe grupveprave penale që prekin shoqërinë.

Një nga diskutantët në atë takim ka qenë edhe anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, duke bërë një analizë të pushtetit gjyqësor, bazuar mbi monitorimin e Komisionit Europian për Eficencën e Drejtësisë në Këshillin e Europës. Ndërmjet të tjerave është trajtuar edhe buxheti dhe pagat e gjyqtarëve. “Shqipëria ishte dhe mbetet në vendin e pestë nga fundi për sa i përket njërit prej treguesve më sinjifikativë të buxhetimit adekuat dhe sipas standardeve të gjyqësorit, duke pasur buxhet për pushtetin gjyqësor 4 euro për banor. Pas nesh mbeten vetëm Moldavia, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Armenia”, tha Dvorani në mbledhjen e gjyqtarëve të datës 5 dhjetor të vitit të kaluar. Sipas gjyqtarit në fjalë, paga mesatare bruto kombëtare është rritur në masën 40 për qind nga viti 2004 deri në 2009, ndërsa paga e gjyqtarit në këtë periudhë është rritur vetëm 10 për qind. “Si përfundim, pagat e gjyqtarëve duhet të ishin së paku 30% më të larta se sa janë aktualisht. Sipas një rekomandimi, EURALIUS është shprehur se në Shqipëri paga minimale e gjyqtarit duhet të jetë më e lartë se 1000 euro”, përfundoi Dvorani.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›