E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Qeveria s‘ka më fonde për ndërtimin e rrugëve

Partia Socialiste paralajmëroi dje bllokimin e ndërtimit të shumë rrugëve në vend, për shkak se qeverisë shqiptare i mungojnë paratë. Bazuar në faqen e internetit të Ministrisë së Transporteve dhe të dhënave që janë publikuar aty, anëtari i kryesisë së PS-së, Erjon Braçe, tha se fillimi i punimeve që u inauguruan gjatë fushatës ishte vetëm një mashtrim për efekte elektorale. Braçe iu referuar portalit të prokurimeve në faqen zyrtare të kësaj ministrie, duke deklaruar se në të gjendet një tabelë, në të cilën, në zërin "ndërtim rrugësh", nga 39 rrugë të planifikuara për këtë vit, në 35 prej tyre janë çelur vetëm 1 milion lekë të reja fonde për secilën. Ndërsa në faqen zyrtare të MPPTT, në portalin e prokurimeve, gjendet kjo tabelë, në të cilën, në zërin e "sistem asfaltimeve" janë 42 rrugë të planifikuara për këtë vit, në 39 prej tyre janë çelur vetëm 1 milion lekë të reja fonde për secilën. "E gjithë kjo, kur në portalin e prokurimeve të APP-së tenderët për këto rrugë kapin vlerën e mbi 20 miliardë lekëve", tha ai. Braçe mori për shembull 7 lote të segmentit Plepa-Rrogozhinë, që janë tenderuar 6.2 miliardë lekë, kur në faqen e MPPTT-së deklarohen të çelura 7 milionë lekë; ndërsa për aksin Fier-Mallakastër janë tenderuar 170 milionë lekë, kur në faqen zyrtare të MPPTT-së deklarohen të çelura vetëm 2 milionë lekë. "Natyrisht, kjo gjë konfirmon faktin se qeveria nuk ka para". Në ligjin për "Buxhetin e Shtetit 2009", në programin e investimeve të MPPTT-së, zëri "ndërtim rrugësh kombëtare" ka 36.8 miliardë lekë, zëri "sistemim-asfaltim" ka 1.009 miliardë lekë. Pra, në total për këto dy zëra, MPPTT ka në buxhet 37.8 miliardë lekë, prej tyre 34 miliardë lekë i merr segmenti Milot-Morinë. Ndërkohë që mbeten vetëm 4.4 miliardë lekë për rrugën Plepa-Rrogozhinë, Rrugën e Arbrit, 29 akse të tjera kombëtare të tenderuara dhe me kantiere të hapura, qeverisë i duhen mbi 20 miliardë lekë", tha ai. Ndaj Braçe shtroi nevojën që gjithë qytetarët shqiptarë duhet të kuptojnë se sot po vuajnë dhe po vriten nëpër rrugë për shkak të kësaj maskarade elektorale dhe këtij krimi elektoral të Sali Berishës, në shkelje të rëndë dhe flagrante të besimit të shqiptarëve, për përdorimin e ndershëm dhe ligjor të taksave. Sakaq, anëtari i kryesisë së PS-së, Erjon Braçe, komentoi turin e Kryeministrit Berisha, i cili, sipas tij, është i qëllimshëm dhe po aq antikushtetues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›