Pollo: Rama t'i bëjë apel qytetarëve për kartat e identitetit, mjaft me akuza

>Zvëvendëskryeministri, Genc Pollo i ka kërkuar opozitës dhe veçanërisht Edi Ramës që ti bëjë thirrje qytetarëve për pajisjen e tyre me kartat e identitetit dhe jo të vazhdojë akuzat ndaj kompanisë koncensionare frankoamerikane. Ai shtoi se PS me këtë lumë akuzash, thjesht i largon ata nga vajtja në zyrat e gjendjes civile për të bërë aplikimin dhe 2 apo 3 javë më vonë për të tërhequr letërnjoftimin, duke mos i dhënë mundësi që në fund të qershorit të votojnë për partinë që ata lirisht e zgjedhin.
Midis të tjerash, ai e vuri theksin te dy shqetësime që i pari është ai i dublikatave në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Pollo deklaroi se " dublikatat janë 50 mijë dhe 45000 prej tyre janë midis njësive të ndryshme (bashki apo komune), 5mijë janë brenda të njëjtës komunë apo bashki brenda 10 ditëve". Ministria e brendshme, sqaroi Pollo, do të njoftojë për eliminimin e dublikatave dhe mbi këtë bazë do të dalin lista zgjedhore të sakta. "Ka qenë bashkëpunimi i kryetarëve të komunave dhe bashkive, një pjesë e mirë e tyre socialiste, për të realizuar këtë proces me saktësi dhe besueshmëri dhe reagimi i këtyre komunave dhe bashkive socialiste është një model shumë i mirë, që duhet ndjekur dhe nga partia në qendër",- u shpreh Pollo. Dhe problemi tjetër, nënvizoi zëvendëskryeministri, ka të bëjë me shqetësimin e 730000 personave që nuk kanë pasaporta. "Ky është një shqetësim i drejtë i opozitës dhe jo vetëm i opozitës, kuptohet, por vendimi i Këshillit të Ministrave pika 8 e tij përcakton, që këto zonja e zotërinj, që për shkak të moshës, apo arsyeve të tjera, nuk kanë marrë pasaportë, janë prioritarë në pajisjen e tyre me letërnjoftim",- tha Pollo. Për këtë fakt, ai i kërkoji PS që të bllokonte furnizimin me letërnjoftim të gjithë popullsisë, për të furnizuar vetëm këtë kategori, sepse do të ishte e padrejtë që shqiptarët që e kanë pritur me vite letërnjoftimin dhe pas letërnjoftimit duan të marrin pasaportën biometrike, një pasaportë që përmbush një ndër kushtet e heqjes së vizave të Shengen-it, që ne shpresojmë ta arrijmë brenda vitit 2009.