E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Qeverinë e dikton konflikti i interesit

Korrespondenca e vajzës së Kryeministrit Berisha me një biznesmen, me të cilin ajo negocionte për të shitur pronat e Fazliç në Porto Romano, u bë dje objekt replikash midis dy partive, PD e PS.
Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, tha se ky është një tjetër fakt që tregon se korrupsioni e ka kthyer godinën e kryeministrisë në godinë aferash familjare.
Ndërsa zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, si përgjigje ndaj akuzave të Braçes tha se me e-mail-et e botuara dëshmohet një veprimtari në përputhje të plotë me ligjet e vendit të studios ligjore të vajzës së Kryeministrit. Por opozita i lexon ndryshe mail-et e vajzës së Kryeministrit. Numri dy i grupit parlamentar theksoi se dokumentet e publikuara dëshmojnë më së miri se vendimmarrja e qeverisë nuk është më vendimmarrje në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por është një vendimmarrje në përputhje me klientët e qeverisë dhe përfitimet e paligjshme të familjes biologjike të Kryeministrit dhe në konflikt të pastër interesi. "Ajo që po rëndon sot e gjithë ditën shqiptarët, është pikërisht konflikti i interesit që dikton vendimmarrjen e qeverisë së Republikës së Shqipërisë", deklaroi Braçe. Duke vënë vijë paralele me rastin e Gërdecit, deputeti socialist vuri në dukje se edhe në këtë rast interesat që e detyrojnë qeverinë të marrë vendime për ngritje termocentralesh apo burimesh të tjera energjetike janë jo interesat e qytetarëve, por interesat e ngushta familjare dhe përfitime të paligjshme.
Në përgjigje të deklaratës së Braçes, selia blu tha se me e-mail-et e botuara dëshmohet një veprimtari në përputhje të plotë me ligjet e vendit të studios ligjore të vajzës së Kryeministrit. "Edi Rama dëshmon se nuk ka asnjë alternativë tjetër për t‘u ofruar shqiptarëve përveç "scoop"-eve dhe trillimeve mediatike siç ishte ajo e vjedhjes së shpikur të orës së Presidentit Bush, shpalljes së Kosta Trebickës si të ekzekutuar nga shteti, akuzave politike të rrugës Durrës-Kukës, akuzave ndaj biznesmenit Damir Fazliç, apo siç ishin ato më të fundit të shitjes së ujërave territoriale të vendit", deklaroi zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Ndërsa anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Eduard Shalsi, duke reaguar për akuzat e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në adresë të kryetarit të PS-së, Rama, i sugjeroi zonjës Topalli që minimalisht duhet të heshtë pas publikimit të mail-eve të vajzës së Kryeministrit. "Të paktën sot, politika e vjetër duhet të heshtë, sepse e vërteta e hidhur e pazareve të familjes Berisha me pronat e shqiptarëve ka marrë një përmasë të re skandaloze. Jozefinës do t‘i mësoja një proverb: Mjerë kush s‘di se ç‘flet dhe s‘ka mend as sa të heshtë", tha Shalsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›