Braçe: Rama fle gjumë
Erion Braçe shpërthen me kritika në Kuvend kundër lidershipit socialist. Nuk i ka mjaftuar mbledhja e kryesisë ku Rama dhe Braçe shkëmbyen replika të ashpra lidhur me mënyrën e të bërit të opozitës, por akuzat e Braçes janë artikuluar publikisht edhe gjatë seancës së djeshme. Me ton mjaft kritik, numri dy i grupit parlamentar, një prej mbështetësve më të fortë të liderit socialist, hodhi akuza të rënda mbi kreun e PS-së, qëndrimi i të cilit në lidhje me mazhorancën, sipas Braçes, është i butë. Ky qëndrim i Ramës sipas tij bën që “mazhoranca t’ia lejojë vetes deri edhe të përcaktojë radhën e problematikës së opozitës në raport me Kuvendin dhe Sali Berishën”. Braçe pranoi se qëndrimi i paqtë i PS-së duhet të marrë fund këtu. Pa përmendur emrin e kreut të PS-së, por duke aluduar për të, ai tha: “E keqja, natyrisht është kalimtare, mund të bëni për pak kohë këto, derisa të zgjohet nga gjumi masiv dhe më i fundit që duhet të jetë i pari, e që tani mendon se t’u tregosh shqiptarëve të vërtetën mbi abuzimet tuaja është destruktive, se të përballesh me abuzimet tuaja të humb vota, se të heshtësh përballë jush, ju bën më shumë këmbëngulës sesa ne të opozitës, se të flesh i trazuar, është më mirë se të jetosh e të luftosh e të keqen”. Sipas tij, bashkëpunimi i PS-së me PD-në duhet të marrë fund, kërkesë që e përsëriti edhe dje në Kuvend. Duke iu drejtuar Kryetares së Kuvendit, ai tha dje: “Ju nuk mund të përcaktoni radhën, problematikën e opozitës në raport me Kuvendin dhe Sali Berishën. Ju natyrisht mund të shfrytëzoni vullnetin tonë të paqtë për disa interesa të mëdha kombëtare, tashmë të plotësuara e që duhet të marrin fund këtu. Sepse ju nuk mund ta përdorni këtë vullnet për të dhunuar Kushtetutën, për të dhunuar opozitën, detyrat e saj kushtetuese”. Për herë të parë, një zyrtar i lartë i kësaj partie pranon se PS-ja, përveç bashkëpunimit, është përulur ndaj drejtuesve të mazhorancës. Braçe është i pari bashkëpunëtor i Ramës që ngre zërin për qëndrimet e kësaj partie në gjashtë muajt e fundit. Kjo sepse, duke qenë se është një ndër figurat që ia ka lejuar vetes akuza te forta ndaj qeverisë Berisha, tanimë po qëndron në heshtje. Prej afërsisht dy javë, Braçe nuk është parë të komunikojë me mediat, ku kryesisht ai ka bërë akuza ndaj mazhorancës. Ajo çka duket se shënoi krisjen mes Ramës e Braçes ishte letra që Braçe kërkoi t’ia niste OKB-së ku kërkoheshin sanksione për Shqipërinë, sepse ish-presidenti dhe Kryeministri Berisha ka shkelur traktate ndërkombëtare. Rama nuk ia lejoi dërgimin e letrës duke konsideruar se ajo do të prishte imazhin e Shqipërisë, por jo vetëm kaq, që nga ajo ditë, Braçe s’ka dalë në media për të përsëritur akuzat ndaj qeverisë.
Xhafaj kundër dekreteve të Topit
Nënkryetari socialist në Komisionin e Ligjeve, por edhe sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, u shpreh dje kundër dekreteve të Presidentit Topi. Xhafaj theksoi se e ka mendim personal, por me përgjegjshmëri politike dhe profesionale. Ai u shpreh se kandidaturat në fjalë nuk plotësojnë kriteret e duhura. "Kandidaturat nuk plotësojnë kriteret e kërkuara dhe nëse hyjnë në Gjykatën e Lartë, ky institucion mund të quhet Gjykata e ulët e Rashbullit", - tha Xhafaj. Por Xhafaj pohoi se ky është mendimi i tij dhe ende nuk dihet se si do votojnë socialistët në Kuvend. Xhafaj nuk e shikon krejt gri situatën e dekreteve, pasi mes emrave, tha ai, ka kandidatë me integritet profesional, ashtu siç vlerëson se 3 mes 6 kandidatëve janë femra. Në dukje i zhgënjyer, ai vlerëson procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, por Xhafaj theksoi se duhet të shikojmë përtej dekreteve dhe të ketë reflektim nëse realisht duam, siç shprehet ai, një drejtësi të pavarur.