E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria firmos paktin e anëtarësimit në NATO

Shqipëria hedh hapin e fundit para se të bëhet zyrtarisht anëtare me të drejta të plota e aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të botës, NATO. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, firmosi dje në emër të qeverisë shqiptare dokumentin që e bën "de jure" vendin tonë, anëtar të NATO-s. Ceremonia e nënshkrimit u bë paraditen e djeshme në Bruksel, ku ndodheshin të pranishëm shefat e diplomacive, si dhe Sekretari i Përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer. Tashmë protokolli i nënshkruar duhet të ratifikohet nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare. Bashkë me Shqipërinë firmosi dhe Kroacia, duke u rreshtuar kështu si dy anëtaret më të reja të NATO-s. Në këtë mënyrë Shqipëria dhe Kroacia hodhën hapin drejt anëtarësimit në NATO duke u bërë zyrtarisht vende kandidate pas nënshkrimit të Protokolleve të Anëtarësimit nga 26 ambasadorët e Aleancës. Në vendet anëtare fillon tashmë procesi i ratifikimit i cili pritet të përfundojë vitin e ardhshëm. Qëllimi është që Shqipëria dhe Kroacia të anëtarësohen para samitit të ardhshëm të NATO-s në prill të 2009-ës. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vlerësoi se "ne shohim sot një etapë që shënon kurorëzimin e suksesshëm të reformave të vështira në fusha të ndryshme, reforma politike, ekonomike dhe të sigurisë në vendin tonë”. Z.Basha pa fshehur dot entuziazmin nga ceremonia, u angazhua për një vazhdim nga ana e Shqipërisë të reformave të mëtejshme. Shqipëria, sipas tij, do të marrë përsipër tërë detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi i plotë. Ndaj ai siguroi se "Shqipëria merr përsipër që të shpenzojë burime financiare të mjaftueshme për zbatimin e angazhimeve të saj pas anëtarësimit në Aleancë dhe është e vendosur që të vazhdojë të ruajë të njëjtën përqindje në buxhetin e mbrojtjes, në masën 2% të GDP-së". Kryediplomati shqiptar bëri të qartë se është dashur shumë punë, shumë angazhime dhe ndihmë e vyer nga vendet e tjera anëtare të NATO-s për të ardhur deri në nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit. Z.Basha informoi homologët e tij se Shqipëria ka bërë progres, se po ecën shumë shpejt me reformën zgjedhore, ka konsoliduar institucionet demokratike dhe ka një klimë të favorshme të biznesit. "Jemi një shembull për stabilitetin në rajon dhe politika e jashtme tregon një vlerë për demokracinë dhe paqen në rajon", - tha z.Basha. Ai garantoi në Bruksel angazhimin e qeverisë shqiptare për plotësimin e të gjitha detyrimeve për anëtarësim në NATO. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut ministri Basha rikonfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare dhe të gjithë faktorit politik dhe popullit shqiptar, për të ecur më tej në rrugën e reformave për të konsoliduar institucionet demokratike, shtetin ligjor, të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe për të ecur më tej drejt një ekonomie moderne dhe të zhvilluar, bazuar tërësisht një vlerat e tregut të lirë. Duke shprehur besim për një proces ratifikimi të shpejtë të Protokollit të Anëtarësimit, ministri i Jashtëm shqiptar theksoi se "me Shqipërinë dhe Kroacinë, në rrugën për anëtarësim të plotë në NATO, rajoni ynë është bërë më i sigurt se kurrë më parë. Vazhdimësia e politikës së dyerve të hapura të NATO-s, përcjell një mesazh të fuqishëm inkurajimi për reformatorët në vendet e tjera të rajonit, të cilët, shpresojmë t'i mirëpresim së shpejti në gjirin tonë".

Sheffer: Shqipëria përmbushi standardet

Brukseli kërkon nga Shqipëria vazhdimin e reformave për anëtarësimin e plotë në NATO. Këtë mesazh përcolli dje Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hoop Scheffer nga selia e NATO-s në Bruksel ku Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan Protokollin e Anëtarësimit në NATO. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Scheffer, zyrtarizimi i kandidaturës së Shqipërisë dhe Kroacisë është rezultat i punës së madhe në vite të këtyre dy vendeve për të përmbushur standardet e kërkuara. Në fillim të ceremonisë së nënshkrimit të protokolleve të aderimit, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jaap de Hoop Scheffer, e vlerësoi momentin si një arritje të rëndësishme, jo vetëm për të 2 vendet, por për tërë komunitetin e Aleancës Atlantike. "Sot është një ditë e mirë për NATO-n, një ditë feste dhe është një ditë e mirë për Shqipërinë dhe Kroacinë. Është një ditë e mirë për të gjithë komunitetin euro-atlantik. Me nënshkrimin e Protokollove të Anëtarësimit ne ndërmorëm një hap madhor drejt zgjerimit të familjes euro-atlantike të kombeve demokratike që është NATO-ja", - u shpreh Scheffer.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›