Braçe: Takimi Rama-Meta, sipas vendimit të Kryesisë. Komentet e Ramës për ata që mendojnë ndryshe, të tepërta
Duke parë reagimin e shumtë dhe shpesh agresiv për takimin e sotëm mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, deputeti socialist, Erion Braçe, është shprehur se ky takim është mbajtur pas vendimit të Kryesisë. Por, ai i ka cilësuar si të tepërta dhe të papërshtatshme komentet e Ramës për ata që mendojnë ndryshe për këtë takim
Për secilin nga miqtë që më shkruajnë prej mëngjesit, të shqetësuar apo të interesuar për të ditur më shumë për takimet e Kryetarit të PS, Edi Ramam me Kryetarin e LSIm Ilir Meta, dua të sqaroj:
Edi Rama ka marrë nga Kryesia e PS dhe Grupi Parlamentar i PS mandatin të kërkojë, negociojë dhe punojë… për një proces konsensual politik, në Kuvend dhe jashtë tij, me produkt zgjedhjen e një Presidenti konsensual në respekt të frymës së Kushtetutës si “përfaqësues i unitetit të popullit”!
Ky është synimi i PS! Ky është edhe rekomandimi i BE, konkretisht komisionerit Fyle, javën që shkoi në Tiranë.
PS praktikisht nuk ka vota për të zgjedhur Presidentin! Ndaj për PS ka shumë rëndësi procesi politik, konsensual, për zgjedhjen e Presidentit!
Për PS mënyra se si zgjidhet Presidenti dhe një “President konsensual” mban në këmbë shtetin demokratik në Shqipëri! PS nuk duhet ti lëshojë Sali Berishës në këtë qëndrim.
Në këtë kuptim, Kryetari i PS është brenda mandatit politik që ka marrë nga PS! Ky mandat duhet respektuar, por dhe nuk duhet tejkaluar.
Por, agresiviteti ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ai për këtë takim, ishte i tepërt dhe i papërshtatshëm!
Unë mendoj se ndjeshmëria dhe respekti ndaj çdo sensibilitet që vjen nga secili socialist apo secili opozitar, çdo shqiptar, duhet të jetë thelbi i sjelljes sonë, shprehet deputeti socialist.
