E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano: Takimi Meta-Rama, vlerë për politikën. Për presidentin, takimi me Berishën, më i rëndësishmi

Share

Kandidati i vetëshpallur për president, Fatos Nano, është takuar për më shumë se 50 minuta gjatë ditës së sotme, me kreun e republikanëve, Fatmir Mediu.

Më shumë se sa takimin me Mediun, Nano ka komentuar takimin e kryer po gjatë ditës së sotme mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe atij të LSI-së, Ilir Meta, duke thënë se është një vlerë për politikën.

Dua ta përshëndes këtë fakt që filluan takimet mes krerëve të politikës, dhe më në fund të gjithë janë të përfshirë në trasenë e duhur që i shërben vendit, u shpreh Nano.

Në lidhje me takimin e zhvilluar me Mediun, Nano ka theksuar se takimi është një vlerë e shtuar në procesin e konsultimeve për postin e kreut të shtetit.

Por, ai tha se,takimi me kryeministrin Berisha ka një rëndësi të dorës së parë në takimet e mia. Kryeministri është edhe kryetari i mazhorancës qeverisëse dhe ka një rol specifik në krijimin e konsensusit për zgjedhjen e presidentit.

Nga ana e tij, Mediu theksoi se PR-ja do ta shprehë qëndrimin e saj pas konsultimeve që do të bëhen brenda mazhorancës.

Komunikimi dhe dialogu është mëse i domosdoshëm. Këto takime duhet të jenë ngjarje të zakonshme. Janë në interes të shoqërisë. Është shumë e rëndësishme, meqë jemi brenda familjes së maxhorancës, duhet diskutuar brenda maxhorancës. Kemi patur dhe praktika të mëparshme që kemi vepruar në këtë mënyrë, tha Mediu.

I pyetur në lidhje me një kandidaturë të mundshme të kryeparlamentares Topalli, Mediu tha: “Kandidimi i saj dhe i  kujtdo tjetër është e mirëpritur. Këtë proces të mos e shikojmë si një proces të politikës por, do ishte mirë që kandidatët për president të debatonin me njëri- tjetrin si në çdo vend tjetër”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›