PDK vlerëson objektivitetin e progres-raportit
Partia Demokristiane shpreh vlerësimin e saj për objektivitetin e raportit të progresit të hartuar nga Komisioni Evropian dhe të publikuar ditë më parë. Në këtë raport, sipas PDK-së, vlerësohen në veçanti reformat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës që qeverisej nga demokristianët. Duke cituar pjesë nga raporti, nënkryetarja e PDK-së, znj. Aida Joanidhi, pohoi se në raport konkretisht thuhet se është bërë progres në fushën e politikave të shëndetit publik. “Raporti vlerëson Strategjinë Kombëtare të Shërbimit Shëndetësor 2007-2013, si një dokument i rëndësishëm që përcakton prioritetet e reformave në këtë shërbim. Në raport thuhet se me aprovimin e legjislacionit për transfuzionin e gjakut, Shqipëria ka përafruar kuadrin ligjor me standardet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, vlerësohen përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë, për të implementuar ligjin antiduhan, si dhe përpjekjet për hartimin e ligjit të kujdesit shëndetësor”, - deklaroi ajo. Joanidhi denoncoi faktin se në kundërshtim me të gjitha akuzat që janë bërë nga ministrja e Shëndetësisë dhe stafi i Gërdecit i katapultuar në këtë ministri, raporti i progresit për të dytin vit radhazi shpreh vlerësimin e tij për reformat e ndërmarra nga z. Nard Ndoka gjatë kohës që ishte ministër Shëndetësie, ndërsa tërheq vëmendjen për ngadalësimin e këtyre reformave gjatë muajve të fundit, siç është bllokimi i miratimit të dy ligjeve; ligjit të kujdesit shëndetësor dhe ligjit të financimit të kujdesit shëendetësor. PDK gjykon se ministrja e Shëndetësisë, zonja Godo, pasi të ketë lexuar me vëmendje raportin e progresit të Komisionit Evropian, duhet të kërkojë falje për shpifjet dhe akuzat e bëra në adresë të qeverisjes së Ministrisë së Shëndetësisë nga PDK.