E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet PR: PDK dhe LSI po luftojnë për interesat e veta

Ndonëse një ditë më parë kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, mbështeti kërkesat e Ndokës dhe Metës për formulën e re të KQZ-së, nënkryetari Alibali mendon ndryshe: LSI dhe PDK, po luftojnë për interesat e veta. Neritan Alibali i cilësoi dje pretendimet e PDK-së dhe LSI-së për administratën zgjedhore, si nisma që kanë për bazë vetëm interesin e tyre politik. Sipas Alibalit, ky problem ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara. “Ka pasur protesta të ashpra nga aktorë, të cilëve u prekeshin interesat e tyre politike. Normalisht ka pasur një reagim. Unë nuk mendoj se përfshirja e tyre dhe ndryshimi i komisioneve solli realisht një progres ose një mbrojtje më të mirë të procesit. Natyrisht që secila nga partitë politike që ka protestuar dhe ka kërkuar ndryshime ka të drejtat e veta për të mbrojtur interesat e tyre”, - tha Alibali. Nënkryetari republikan shtoi se natyrisht që spektri i reagimeve politike me frymë demokratike është i gjerë.

Neritan Alibali i bëri këto komente në konferencë për mediat, ku përshëndeti atë që ai quajti vlerësim të arritjeve të Shqipërisë në progres-raportin më të fundit të Komisionit Evropian.

Buxheti, integrimi evropian, vetëm 168 milionë lekë

Për integrimin ervopian, qeveria lëvron nga buxheti i saj një fond vetëm prej 168 milionë lekësh për vitin 2009. Kjo është shuma e parashikuar për këtë ministri në projektbuxhetin e shtetit për vitin pasardhës, i cili po diskutohet aktualisht në komisionet parlamentare të Kuvendit. Në krahasim me buxhetin suplementar të vitit 2008, projektbuxheti i parashikuar i Ministrisë së Integrimit për vitin 2009 ka një rritje prej 6.2 për qind. Shpenzimet për personelin, të parashikuara për vitin 2009, janë 80 milionë lekë dhe në krahasim me vitin 2008 janë rritur rreth 15.9 për qind. Mallrat dhe shërbimet për vitin 2009 janë 78 milionë lekë dhe në krahasim me buxhetin suplementar të vitit 2008 kanë një rritje rreth 5.4 për qind. Ndërsa, investimet e parashikuara për vitin 2009 janë 9.6 milionë lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›