E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, digjet pjesërisht një kopsht fëmijësh

Një zjarr i papritur ka djegur ambientet e një kopshti fëmijësh në Rrethin e Korçës. 35 fëmijë janë rrezikuar, kur një zjarr ka shpërthyer në një nga dhomat e banesës që shërbente si kopsht. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Cangonj dhe ka qenë edukatorja që ka konstatuar e para se nga një prej dhomave po dilte tym dhe më pas ka larguar me urgjencë nga godina gjithë fëmijët. Sipas të dhënave të policisë, një nga anekset e banesës ka marrë zjarr nga një shkëndijë elektrike, por fatmirësisht vatra ka qenë e vogël dhe është lokalizuar shpejt. Të parët në fikjen e zjarrit në shtëpinë private të lëshuar me qira për interesa të arsimit kanë ndërhyrë banorët e zonës. Më pas kanë qenë dy mjetet zjarrfikëse që kanë mbërritur me shpejtësi dhe kanë bërë edhe fikjen përfundimtare të zjarrit. Burimet e zjarrfikësve thonë se zjarri ka qenë i vogël, megjithatë u morën masa të menjëhershme për fikjen e tij. Zjarri ka rënë rreth orës 12:00, ndërsa fëmijët ende ndodheshin në ambientet e shtëpisë së vjetër, që shërben si kopsht. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të dëmtuar, ndërsa dëmet materiale kanë qenë të vogla. Fëmijët ishin zhvendosur prej disa ditësh në ambientet e një shtëpie private, pasi ndërtesa e kopshtit u mbyll për shkak të kushteve të këqija higjieno-sanitare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›