E Hënë, 2 Nëntor 2026

Braçe: "Të votëbesohet e gjithë Kryesia e Partisë Socialiste"

15/01/2005  Deputeti Erion Braçe sot në mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues do të kërkojë votëbesimin e anëtarëve të Kryesisë. I kontaktuar nga "Metropol", Braçe ka theksuar rëndësinë e ndryshimeve të disa emrave në këtë kryesi, të nevojshme për t'i siguruar mazhorancës socialiste fitoren në zgjedhjet e përgjithshme. Kërkesa për votëbesimin e Kryesisë vjen nga dyshimi për efiçencën e anëtarëve në përballimin e zgjedhjeve parlamentare. Braçe, i cili është cilësuar si një nga nismëtarët për reformimin e PS-së, do të paraqesë një sërë propozimesh konkrete forumit të KPD-së. Sipas tij, në rast se prej analizave rezulton se anëtarët e Kryesisë apo ministrat nuk fitojnë në zonat zgjedhore, ata duhet të tërhiqen nga kandidimi dhe të mos futen as në listën e proporcionialit të PS-së. Deputeti socialist duke iu referuar programit të veprimit politik të PS-së, për gjashtë muajt e parë të vitit 2005, konstaton mangësi në veprime. Konkretish Braçe thskon se "nuk janë parashikuar platforma paraelektorale për të sensibilizuar zgjedhësit shqiptarë për të qenë pjesë e procesit zgjedhor. Mospjesëmarrja e shqiptarëve në votime në zgjedhjet e fundit ka rezultuar në masën 45 për qind". Në këtë drejtim, sipas deputetit socialist, duhet të ketë politika më të orientuara dhe konkrete. Të gjithë deputetët aktualë të PS-së duhet të paraqesin saktësisht një preventiv se "sa fitojnë dhe sa humbasin në zonat e tyre. Kjo duke filluar që nga unë, për t'u pasuar nga Poçi, Meksi dhe të tjerët". Duke iu referuar dhe parimit "një anëtar, një votë" të gjithë kandidatët për deputet të PS-së, sipas Braçes, duhet t'i nështrohen këtij parimi në çdo zonë të Shqipërisë. Ai thekson "në X zonë të konkurrojë, Erion Braçe me çdo kandidat tjetër. Nga votimi do të dalë kandidati fitues për atë zonë". Gjithashtu, në propzimet e tij, Braçe i referohet dhe një politike më sociale të partisë së tij me shtresat e ndryshme të shoqërisë. Kjo duke u konkretizuar me fushata të ndryshme dhe programe sociale, të cilat duhet t'i hartojë një grup pune për të mos i lënë çdo gjë Kryesisë së partisë. Ndërkohë që shtyrjen e datës për të mbledhur Kongresin elektoral të partisë së tij, Braçe e komenton si një "shtyrje për çështje teknike. Ndoshta kështu ishte më mirë sesa të ishte një Kongres pa platformë dhe që natyrisht do të kishte dhe kundërshtimin tim".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›