E Hënë, 2 Nëntor 2026

Moisiu: Partitë të jenë të barabarta në zgjedhje

15/01/2005  Presidenti i Republikës dhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, kanë kërkuar ndryshimin e një sërë pikash të Kodit Zgjedhor. Sipas Alfred Moisiut, në draft nuk është realizuar përfaqësimi i të gjitha partive në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, ai ka ripërsëritur se ka ende kohë për të përmirësuar këtë situatë. Në këtë koment, Moisiu ka nënkuptuar për përfshirjen e LSI-së dhe LZHK-së. "Dëshira ime do të kishte qenë që përmirësimet të siguronin start dhe kushte të barabarta për të gjithë konkurrentët elektoralë. Palët nënshkruese nuk e mundësuan këtë, por jam i bindur se asnjëherë nuk do të jetë vonë që me vullnet politik e përgjegjësi të punohet nga të gjithë faktorët për krijimin e një klime të plotë besimi në procesin zgjedhor, për të cilën ne kemi shumë nevojë", tha dje Moisiu. Vetëm një muaj më parë, ai u ka kërkar dy partive më të mëdha që të rishikojnë formulimin e ri të forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë. Por duket se kjo nuk është pranuar nga dy të mëdhenjtë e Kuvendit, që kanë vendosur se në komisionet zgjedhore zonale të bëjnë pjesë vetëm PS, PD, PSD, PR, PBDNJ dhe PDR. Por edhe pse Kodi tashmë është miratuar, Presidenti i Republikës thekson se ka ende kohë për të përmirësuar nenet e kodit zgjedhor. Kësaj deklarate dje i është bashkëngjitur dhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, i cili tha se Kodi ka shumë pika të dobëta, ndaj KQZ nuk do të mbajë përgjegjësi në rast se do të dalin probleme.

Celibashi

Në konferencën e dhënë për shtypin, Celibashi tha se, dhe pse në Kod ka mangësi, ai do të angazhohet për zbatimin sa më të plotë të tij. Sipas kreut të KQZ-së, rekomandimi i OSBE-ODIHR për realizimin e komisioneve jopartiake nuk është përfshirë në kodin zgjedhor. Madje, Kodi nuk përcakton as garancinë që komisionerët që do të trajtohen prej KQZ-së të jenë në detyrë. Sipas Celibashit, partitë kanë të drejtën që të ndryshojnë aleatët dhe ditën e votimeve, duke sjellë probleme për zgjedhjet. Ndërsa në lidhje me kërkesën e PD-së për dhënien e dorëheqjes, Celibashi tha se nuk shikon asnjë arsye për të dhënë dorëheqjen. "Me ndjenjën e përgjegjësisë për një proces zgjedhor sipas standardeve kam dashur dhe dua të sjell në vëmendje të forcave politike në vend, veçanërisht PS dhe PD, që për procedurat dhe rregullat që këto ndryshime parashikojnë kërkohet një vullnet dhe angazhim maksimal i tyre. Unë nuk kërkoj të shmang përgjegjësinë e KQZ-së apo timin në këtë çështje, por procedurat për përgatitjen dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve janë lehtësisht të thyeshme apo të keqpërdorshme. Shumica e tyre janë në dorë të anëtarëve të komisioneve të nivelit të ulët (KQV) dhe të nivelit të mesëm (KZZ)", tha dje Celibashi. Megjithatë, ai tha se do të angazhohet për të zbatuar ligjin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›