E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis studimi për tokat e mbetura të lira

15/01/2005  Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të rishikojë hartën e tokave të lira. Burimet kanë bërë të ditur se të dhënat e paraqitur në marsin e vitit që shkoi mund të kenë ndryshuar, ndaj dhe është i detyrueshëm një rishikim i të dhënave që u paraqitën në parlament, një vit më parë. Në një prononcim për gazetën "Metropol", kreu i Komitetit, Sokrat Sinaj, tha se me hartën e parë kthimi dhe kompensimi në 75 për qind të tij, mund të realizohej me tokat e lira. Por, ai shprehet se është e nevojshme që kjo hartë të rishikohet, pasi ka kaluar një kohë e gjatë prej ditës kur është bërë studimi. Në këtë proces, Sinaj tha se do të rishihen dhe pretendimet e ish-pronarëve. Pasi të jenë paraqitur të dhënat mbi tokat e lira, që do të përdoren për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe pasi të jenë konfirmuar pretendimet e ish-pronarëve, do të vlerësohen çmimet me anë të metodikës. Pas përfundimit të tre fazave, do të arrihet dhe në përcaktimin e faturës financiare që do të përballojë shteti në zbatimin e ligjit të miratuar pak muaj më parë në Kuvend. Burimet kanë bërë të ditur se tashmë i është kërkuar qeverisë që të paraqesë hartën e ndërmarrjeve shtetërore, që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Sipas ligjit, ish-pronarët kanë të drejtë që si kompensim të marrin aksione në ndërmarrjet shtetërore. Vlera e aksioneve do të jetë e barabartë me vlerën që i është caktuar pronës.

Të dhënat

Kryetari i Komitetit të Pronave ka bërë të ditur se studimi për të caktuar hartën e tokave të lira që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve do të drejtohet nga komiteti që ai drejton. Për të sjellë të dhëna sa më konkrete, Komiteti do të ndihmohet dhe nga ekspertët e angazhuar në këtë proces. Gjithsesi, pritet që nga 113 mijë ha tokë të deklaruar e lirë, do të zbritet në më pak se 100 mijë. Shkak është bërë dhënia e hapësirave të tokës për ndërtimin e fshatrave turistike, apo ndërtimeve të tjera. Duke parë një fakt të tillë është rritur dhe shqetësimi për faturën financiare që duhet të përballojë shteti. Megjithatë, një temë e tillë ende nuk është diskutuar në Komitetin e Pronave. Kjo sjell detyrimisht ngushtimin e tokës që do të jetë në dispozicion të komitetit të pronave. Burimet zyrtare thanë se puna për studimin e ri do të nisë në muajin mars. Por në këtë proces do të ketë një koordinim të punës dhe me komisionet që po kujdesen për procesin e legalizimit të ndërtimeve të paligjshme.

Diskutimet

Komiteti i Pronave ka arritur të miratojë rregulloren e funksionimit si dhe një pjesë të mirë të metodikës së vlerësimit të pronave. Ndryshe nga komisionet që kanë në përbërje përfaqësues të forcave të politikës, në komitetin e pronave është gjetur konsensusi i duhur për zbatimin e ligjit. Ndërsa mësohet se i gjithë procesi është monitoruar prej OSBE-së. Kjo për të sjellë dhe një garanci në zgjidhjen e problemit më të prekshëm në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›