E Hënë, 2 Nëntor 2026

PSD, PAD, PBDNJ dhe PAA nisin bisedimet për grupin e qendrës së majtë

15/01/2005  Drejtuesit e partive të vogla parlamentare janë gjetur të papërgatitur në vendimin e marrë mbi numrin e deputetëve që duhet të ketë një grup parlamentar për t'u cilësuar i tillë. Aleatët e PS-së, në kundërpërgjigje të kësaj situate, kanë nisur bisedimet për krijimin e një Grupi parlamentar të qendrës së majtë, ku nuk do të marrë pjesë PS-ja. Në prononcimet e dhëna për "Metropol", ata janë shprehur se dhe këtë gjashtëmujor, grupet duhet të kishin minimumi 5 deputetë, pasi në votimin e rregullores kështu ishte rënë dakord. Por, në të kundërt me këta, Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, tha se përbërjen e grupeve parlamentare e përcakton rregullorja. Sipas tij, në seancë u dhanë dy variante, por dhe pse u tha se përbërja e grupeve me minimumin 7 deputetë do të hynte vitin pasues, nuk u konkretizua asgjë me shkrim. "U tha me fjalë, por nuk u paraqit asgjë me shkrim. Në parlament votohen vetëm propozimet me shkrim. U paraqitën dy variante: një me 5 dhe një me 7 deputetë, dhe u la ky i dyti. Unë kam detyrimin të zbatojë ligjet e miratuara", tha Pëllumbi në prononcimin e dhënë. Ndërkohë, përfaqësuesi i PD-së, Fatos Beja, thotë se partitë e vogla kanë qenë të kërcënuara nga ikja e deputetëve të vetë dhe jo nga ikja e deputetëve të partive të mëdha. "U kanë ikur deputetët, i kanë ikur deputetët PDR-së, i kanë ikur PSD-së, i kanë ikur PR-së, i kanë ikur PBDNJ-së. Pra, të tëra partive i kanë ikur deputetët e tyre, dhe në këtë mënyrë grupet e tyre parlamentare kanë rënë nga numri i 5 deputetëve. Pra, fenomeni nuk vjen nga rregullorja dhe është problemi i tyre zgjidhja, bashkimet dhe se si do të koordinojnë. Rregullorja e re kërkon shtatë deputetë", tha Beja. Por, për të reaguar ndaj kësaj, partitë e majta kanë nisur bisedimet për t'u përfaqësuar në një grup parlamentar. PBDNJ i ka bërë thirrje PAA-së, PSD-së dhe PAD-së për bashkimin në një grup parlamentar. "Partitë e vogla do të mblidhen në një grup të qendrës së majtë", tha deputeti i PBDNJ-së, Kristo Goxhi, duke përjashtuar këtu PS-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›