E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koçi: Meta ka ardhur në politik njësoj si Nano e Berisha

15/01/2005  

Ish-sekretari Organizativ, Petro Koçi, thotë se dhe Meta ka ardhur në politik dhe pushtet, në të njëjtën periudhë si Nano e Berisha. Në lidhje me deklaratën se LSI do të votojë pro ndryshimeve në qeveri, në rast se largohen të korruptuarit, Koçi thotë se Meta premtoi dhe në grupin e PS-së kur ishte anëtar i tij, se do të votonte pro vendimeve që do të merreshin në këtë forum.

Programi i PS parashikon që të punohet me emigrantët që duan të vijnë të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme. A është e arritshme dhe si do të zbatohet?

Përfshirja e emigrantëve në procesin zgjedhor do të thotë përfshirje e emigrantëve në nevojën e domosdoshme të procesit politik. Emigrantët bëjnë ndoshta forcën kryesore lëvizëse të shoqërisë shqiptare për shkak të moshës dhe profesioneve që kanë. Aktualisht përfaqësojnë dhe një mentalitet që në këto vite është ndikuar mjaft nga shoqëria në vendet ku jetojnë. Bëhet fjalë kryesisht për shoqërinë me mentalitet evropian. Lidhur me këtë është e domosdoshme që, së pari, të ketë lehtësira zyrtare të qarkullimit, pra të mos ndjehen të privuar nga mundësia e moskthimit në vendet ku punojnë dhe natyrisht duhet të garantohen lehtësira në trasport.

A është e ligjshme që të ndërhyhet nëpër konsulltat për krijimin e këtyre lehtësirave?

Mazhoranca qeverisëse ashtu siç bën dhe me rastin e festave të fundvitit për të siguruar ardhjen e emigrantëve në Shqipëri, duke negociuar me qeveritë përkatëse që të vijë emigrantët dhe të kthehen pa probleme. Dhe në këtë rast do të bëhen të tilla përpjekje.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kohët e fundit ka ashpërsuar sulmet ndaj disa ministrave, duke deklaruar votat pro të LSI-së për të ndryshuar qeverinë. Si i vlerësoni këto deklarata?

Lidhur me votat pro të LSI-së, nuk besoj se bëhet fjalë për ndonjë gjë serioze. Është i njëjti person që në mbledhjen e fundit të Grupit parlamentar, ku ka bërë pjesë, garantoi që do të votonte sa herë qe e nevojshme, sipas vullnetit të grupit parlamentar socialist. Ndërsa lidhur me përmendjen e emrave të caktuar, mendoj se është një stil i vjetër, stil që jo vetëm ai, por dhe të tjerë e kanë pranuar dhe tani po e zbatojnë. Edhe zoti Meta, pavarësisht nga mosha, në fund të fundit, mban të njëjtat përgjegjësi për këto vite tranzicioni, si dhe Nano e Berisha. Në qoftë se Nano dhe Berisha kanë ardhur në drejtim të politikës në vitet 1991, Meta ka ardhur në vitin 1992 dhe gjatë kësaj kohe ka pasur poste shumë të larta në vendimmarrje si politike dhe partiake.

A do të diskutohet në KPD apo në kongresin socialiast çështja që emri i kryeministrit të dalë para zgjedhjeve?

Ky ka qenë një nga propozimet e mia dhe kjo gjë do të varet nga gjykimet e mëtejshme që do të ketë KPD-ja dhe forumet e tjera të partisë, nëse do të kthehet ose jo në një përcaktim të punës sonë.

A është ligjore që reforma elektorale të bëhet vetëm nga prezenca e dy partive?

Reforma dhe miratimi i Kodit Zgjedhor në përgjithësi ka konsensusin e të gjithë faktorëve politikë, me përjashtim të disa pikave, të cilat trajtohen në bazë të interesave të mirëfillta partiake. Siç është përbërja e komisioneve, apo formula e ndarjes së mandateve në proporcional. Në përgjithësi, përmbajtja e Kodit është pranuar, dhe nuk ka patur ndonjë kontestim.

Çfarë pretendohet të arihet me ndryshimet që po bëhen në Partinë Socialiste si në statutin, programin dhe krijimin e KZE-ve?

Me impelementimin e parimit "një anëtar, një votë", në radhë të parë garantohet mundësia statutore që anëtari i partisë të ketë një pushtet të drejtpërdrejtë dhe jo thjesht si përfaqësues deri tani në zgjedhje nga institucionet drejtuese. Ne jemi duke votuar në rastin e ngritjes së Komiteteve Zonale Elektorale dhe duke parë më tej funksionimin e tij mund të implementojmë më gjerë në të ardhmen deri në zgjedhjen e forumeve qendrore të partisë. Asnjë parti tjetër nuk e ka bërë këtë deri më tani, sepse jo gjithkush që pretendon nga partitë e tjera të zbatimit "një anëtar, një votë", tashmë janë ngritur në bazë të emërimeve "një anëtar, një karrige", duke e kthyer procesin në drejtim të kundërt. PS-ja ka arritur të dëshmojë se është një forcë politike që vazhdimisht ndërmerr ndryshime. Është një forcë që ka treguar aftësi vetemancipimi, pavarësisht nga tetë vite peshë të pushtetit, që të paktën teorikisht përballë opozitës do ta bënin më të pamundur reformimin. Ndërkohë që ka ndodhur e kundërta. Opozita ka mbetur në vend, sepse gjatë këtyre tetë viteve nuk kemi asnjë rast ndërmarrjeje të reformave në sistemin e partisë dhe organizimit dhe që ka qenë e mbylluar ndaj shoqërisë civile, madje dhe akti i fundit i PD-së është një akt formal. Dhe nuk kemi të bëjmë me përfshirjen e përfaqësimit të intelektualëve të njohur me begraund politik në një proces të rregullt organizativ. Çdo parti do të ishte më e vlefshme nëse do të ndërmerrte hapa të vazhdueshëm civilizimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›