E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vihet në pikëpyetje çmimi i tokës bujqësore

15/01/2005  Vlerësimi i çmimit për tokat bujqësore ka sjellë pengesën e parë në Komitetin Shtetëror. Burimet kanë bërë të ditur se metodika e paraqitur, është vënë në dyshim prej diskutimeve të zhvilluara. Sipas propozimit të ekspertëve, baza për vlerësimin e çmimit të një metër katror tokë bujqësore do të jetë fitimi që nxjerr një pronar prej saj. Për këtë është kërkuar të merren si bazë fitimet që kanë ardhur në vitet e fundit. Kësaj shume filestare do t'i shtohet koeficienti i afërsisë së tokës me tregun dhe me qendrat e banuara. Kështu do të veprohet dhe me koeficientin e vaditshmërisë së pronave. Burimet kanë bërë të ditur se anëtarë të komitetit janë shprehur se rritja e çmimit të tokës sipas koeficientëve të vaditshmërisë apo afërsisë me tregun është pozitive. Por vlerësimi i tokës sipas fitimeve të marra në vitet e fundit është cilësuar si kriter i papranueshëm. Kjo për vetë faktin se asnjë institucion nuk është në gjendje të japë se sa është fitimi i marrë nga toka bujqësore. Një debat i tillë ka ardhur nga fakti se pas vitit 1991 nuk është bërë e mundur arritja e mbledhjes së të dhënave, pasi toka ka qenë e ndarë në ngastra të vogla. Ndërsa nuk ka pasur një ndërmarrje që të merrej me grumbullimin e prodhimeve bujqësore, prej së cilës të mund të merreshin të dhënat. Megjithatë, burimet bënë të ditur se dhe për këtë pikë do të ketë takime të tjera me ekspertët. Çështja e tokave bujqësore është cilësuar tepër delikate, pasi nuk ka një treg të njohur të shitblerjeve. Ndryshe nga tokat truall, për të cilat si bazë merren çmimet e agjencive private, për tokat bujqësore një kriter i tillë nuk vlen, pasi çmimet janë tepër evazive. Ndërkohë mësohet se përfaqësuesi i Shoqatës Pronësi me Drejtësi është duke paraqitur një projekt për këtë çështje. Ndërsa gjithçka do të vendoset në diskutimet në komitetin e pronave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›