E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: “Topalli, abuzime me udhëtimet e shpeshta jashtë shtetit”



Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, akuzoi dje kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se me udhëtimet e saj të shpeshta jashtë shtetit jo vetëm që po bëhet pengesë në punimet e Parlamentit, por edhe po shpërdoron paratë e taksapaguesve shqiptarë. Braçe tha se krerët e qeverisë dhe të shtetit janë vënë në garë për të udhëtuar sa më shumë jashtë shtetit.
“Që nga dje pasdite vendi është pa president, pa kryetar Kuvendi, ose më mirë i ka, por në garë për udhëtime jashtë shtetit. Herë pas here kësaj gare i shtohet edhe kryeministri. Nuk di se për çfarë arsye të rëndësishme presidenti ndodhej në Maltë apo kryetarja e Kuvendit në një udhëtim familjar malli në Strasburg. Ky precedent tashmë ka fituar qytetari të turpshme, ku është përsëritur disa herë, me paratë publike të shqiptarëve, që edhe një vit më tepër nuk nxjerrin dot muajin për shkak të varfërisë. Mjafton t’u themi se vetëm biletat e udhëtimit familjar të tyre vlejnë sa 120 pensione minimale në qytet dhe 240 në fshat”, - tha Braçe. Nënkryetari i Grupit Socialist u shpreh se dje Kuvendi nuk kreu punimet për shkak të mungesës së Topallit. “Sot Kuvendi nuk punon sepse kryetarja e tij është në udhëtim familjar malli jashtë shtetit, me paratë publike të shqiptarëve. Edhe ky fakt i turpshëm - që kur kryetarja ikën jashtë shtetit dhe Kuvendi ndërpret seancën plenare, është i përsëritur”, - u shpreh Braçe.

Leskaj: “Berisha të ndalë sulmet ndaj medias”

Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka komentuar deklaratat dhe sulmet e kryeministrit Berisha ndaj medias së lirë në Shqipëri. Leskaj tha se Berisha duhet të ndalë sulmet e vazhdueshme që bën ndaj medias. “Deklarata e kryeministrit nuk më ka çuditur sepse është brenda vetes. Me gjithë sforcon që përpiqet të bëjë kjo deklaratë është kthim në identitet, që nxjerr krye sa herë që mediat kritikojnë qeverinë.
Jo shumë larg, kohë më parë kryeministri përsëri sulmoi mediat për çështjen e Gërdecit. Kjo tregon se me gjithë sforcon kryeministri e ka të vështirë të ndryshojë. Nuk e kanë fajin mediat që varfëria është rritur me ritme galopante, nuk e kanë fajin mediat që kryeministri nuk ka realizuar të paktën atë që ka premtuar vetë për rritjen e pagave dhe pensioneve, apo që qeveria nuk ka bërë indeksimin e pagave dhe pensioneve, i cili duhej bërë në maj, sipas ligjit të miratuar nga Parlamenti dhe vendimit të qeverisë së tij. Pozita e vështirë e kryeministrit për mosmbajtjen e premtimeve nuk mund të kalohet me sulm ndaj mediave”, - u shpreh Leskaj.

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›