Meta: “Berisha të shkarkojë Sefgjinin dhe të mos kërcënojë prokurorët”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, e ka akuzuar sërish kryeministrin Berisha se jo vetëm që po heziton të shkarkojë nga detyra kryetatimorin e akuzuar për vrasje, Arben Sefgjini, por edhe po lejon kërcënimet e prokurorit të çështjes dhe dëshmitarëve të ngjarjes së zhdukjes së shtetasit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. ”Sali Berisha duhet të shkarkojë menjëherë Arben Sefgjinin. Njëkohësisht dua të bëj të qartë se në rast se do të ketë probleme me familjet e prokurorëve, të gjyqtarëve, që me kurajë e kanë nisur këtë proces, apo ndaj dëshmitarëve në këtë çështje shumë të rëndësishme për të pastruar shtetin shqiptar nga një inkriminim i pushtetarëve të papërgjegjshëm të asaj kohe, Sali Berisha do të mbajë përgjegjësitë e tij jo vetëm politike”, - u shpreh Meta.
Kreu i LSI-së iu kundërpërgjigj edhe disa akuzave të bëra në mënyrë jo publike nga kryeministri Berisha, por për televizione afër tij. “Kam dëgjuar nga një televizion pranë kryeministrit Berisha dhe pranë të gjithë kryeministrave, se z.Berisha paska bërë akuza ndaj meje për përfitime lidhur me tokat në bregdet. Në rast se do të kisha një sinkron nga zoti Berisha, ju siguroj se ai do të ishte paditur që sot në gjyq. Dhe me paratë që do t'i fitoja patjetër në gjyq nga dëmshpërblimi për këtë shpifje, do të kontribuoja për rehabilitimin e pasojave të Gërdecit, ku siç e dini, për fat të keq, humbi jetën dhe baxhanaku i kryeministrit tonë. Së dyti, që zoti Berisha ka vërtet prova, të cilat kanë të bëjnë me përfitime të ish-kryeministrit Meta, apo të kujtdo qoftë, në atë kohë dhe në çdo kohë, duhet t'i çojë në Prokurori. Njëkohësisht dua t'ju siguroj se LSI-ja nga lojëra të tilla qesharake të kryeministrit të korruptuar Berisha deri në vrasje të qytetarëve, nuk do të stepet së kërkuari drejtësi për tragjedinë e Gërdecit”, - tha Meta, i cili deklaroi se në të vërtetë kryeministri Berisha dhe dhëndri i tij janë të implikuar në aferën korruptive të tokave të bregdetit.
I pyetur nga gazetarët për takimin Ceka-Berisha, Meta tha: “Mua nuk më bën asnjë përshtypje që zoti Ceka paska pirë një kafe me zotin Berisha. Mund të them që dje jam takuar me zotin Ceka dhe më ka thënë që ka qenë te zoti Berisha për t'i kërkuar firmën për referendum. A do ta hedhë firmën zoti Berisha, unë nuk jam shumë optimist, se kjo nuk më intereson shumë. Nuk jam optimist sepse Berisha ka frikë nga referendumet. Ju e dini, ka humbur dy referendume me popullin shqiptar dhe i vetmi institucion që Berisha sot nuk kontrollon dot në Shqipëri janë referendumet, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile, LSI-ja dhe disa faktorë të tjerë opozitarë”.
23 Maj 2008