E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Tre variantet tona për përbërjen e komisioneve zgjedhore



Shaban Sulçe
Përbërja e komisioneve të numërimit të votave është një prej çështjeve më kryesore që po diskutohet në grupin e punës së krijuar në Partinë Socialiste për reformën zgjedhore. Ky komision, i përbërë nga deputetë, juristë dhe ekspertë të PS-së, është duke shqyrtuar dhe analizuar propozimet për përbërjen e komisioneve. Sipas burimeve në selinë rozë, janë tri variante, të cilat janë duke u diskutuar në lidhje me këtë çështje. Mësohet se pas përfundimit final të tyre, Grupi i Punës për Reformën Zgjedhore do t’ua u kalojë ato forumeve të larta drejtuese të Partisë Socialiste. Do të jenë këto forume të cilat do të zgjedhin më pas propozimin e tyre unik përsa i përket përbërjes së komisioneve të numërimit të votave.
Varianti i parë
Varianti i parë është ai aktuali, pra që komisionet zgjedhore të përbëhen nga përfaqësuesit e partive parlamentare, të cilave u njihet e drejta e përfaqësimit në këto komisione. Ky variant ka si avantazh përfaqësimin e partive, të cilat do të kenë mundësinë që të ndjekin me imtësi procesin e votimit dhe të numërimit të votave. Disavantazhi i këtij varianti është një problem i vazhdueshëm për zgjedhjet në Shqipëri, të cilat kanë qenë zënkat deri edhe në kërcitje armësh mes komisionarëve, por edhe pazaret e bëra rëndom mes tyre për fatin e votave.
Varianti i dytë
Varianti i dytë, i cili ka qenë në fakt një propozim edhe i disa partive të tjera gjatë diskutimeve për reformën zgjedhore, parashikon përbërjen e komisioneve të numërimit të votave me specialistë dhe ekspertë, të cilët nuk janë të ndonjë përkatësie politike. Ky variant në pamje të parë mund të duket ideal, megjithatë për vetë faktin se partitë nuk do të kenë përfaqësuesit e tyre në këto komisione, mund të sjellin pakënaqësinë e tyre.
Varianti i tretë
Sipas burimeve zyrtare në Partinë Socialiste, një tjetër variant që po diskutohet është varianti miks, pra ku në përbërje të komisioneve të jenë edhe përfaqësues të partive, por edhe ekspertë dhe specialistë të pavarur.
Grupi i punës
Partia Socialiste ka ngritur një grup të posaçëm pune, që do të hartojë propozime konkrete përsa u përket detajeve dhe çështjeve të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe me zgjedhjet elektorale të vitit 2009. Pasi gjetën mbështetjen e maxhorancës për të miratuar në Parlament sistemin proporcional rajonal si dhe përdorimin e listave të mbyllura, të cilat u ndryshuan në Kushtetutë, tashmë socialistët janë duke punuar për të realizuar edhe ato propozime, të cilat kanë rëndësi të veçantë për reformën zgjedhore, por që për realizimin e tyre nuk është e nevojshme ndërhyrja në Kushtetutë. Për këtë arsye, në selinë rozë është krijuar një grup pune, i kryesuar nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, ndërkohë që në përbërje të këtij grupi janë juristë dhe ekspertë zgjedhorë të Partisë Socialiste. Objekti kryesor i këtij grupi pune është përmirësimi i disa pikave të Kodit Zgjedhor, të cilat synojnë realizimin korrekt dhe të suksesshëm të fushatave dhe proceseve elektorale. Partia Socialiste pritet të ketë gati propozime konkrete që kanë të bëjnë me përmirësimin konceptual e cilësor të administrimit të zgjedhjeve dhe institucioneve zgjedhore.

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›