E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi pret shefin e diplomacisë së Ankarasë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ali Babacan, dhe delegacionin zyrtar që e shoqëron. Sipas burimeve nga zyra e shtypit e Presidencës, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, duke falënderuar Turqinë për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë në proceset integruese në strukturat euroatlantike. Kryetari i shtetit vlerësoi bashkëpunimin dhe ndihmesën e dhënë nga Turqia në fushën e mbrojtjes dhe shëndetësisë, duke evidentuar rëndësinë e mbështetjes politike nga ana e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Presidenti Topi vlerësoi gjithashtu pozicionin e qartë të Turqisë për njohjen e menjëhershme të shtetit të ri të Kosovës. Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ali Babacan, shprehu kënaqësinë për takimin e ngrohtë dhe theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë në të gjitha fushat me interes reciprok, duke theksuar nevojën e rritjes së mëtejshme të investitorëve dhe pranisë së kompanive turke në vendin tonë. Babacan vlerësoi marrëdhëniet e gjithanshme mes dy vendeve tona dhe, pasi vuri në dukje rolin moderator dhe të ekuilibruar të Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon, nënvizoi mbështetjen e plotë të Turqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›