Vendet e Detit të Zi lehtësojnë vizat mes tyre
Vendet anëtare të BEDZ-it nënshkruan në Tiranë dy marrëveshje, të cilat kontribuojnë për lehtësimin e tregtisë dhe të qarkullimit të mallrave e të njerëzve në rajon. Në përfundim të takimit të 19-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BEDZ-it, i cili u zhvillua dje, u nënshkrua marrëveshja "Për lehtësimin e procedurave të vizave për biznesmenët" dhe marrëveshja "Për lehtësimin e vizave të shoferëve profesionistë (TIR) të vendeve anëtare të BEDZ-it". Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Armenisë, Edward Nalbandian dhe sekretarin e Përgjithshëm të BEDZ-it, Leonidas Chrysantopoulous, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vuri në dukje se "vend qendror në këtë takim zuri diskutimi për rritjen e efektivitetit të punës së organizatës dhe forcimit organizativ të saj". Sipas tij "gjatë takimit u diskutua rreth arritjeve dhe objektivave të organizatës për të ardhmen, në shërbim të forcimit të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet vendeve e popujve tanë". Takimi shënoi edhe përfundimin e kryesisë shqiptare të BEDZ-it për periudhën maj-tetor 2008. Në këtë drejtim, ministri Basha vuri në dukje se "Presidenca shqiptare synoi rritjen e efektivitetit të punës së organizatës, intensifikimin e marrëdhënieve me BE-në, si dhe rritjen e bashkëpunimit sektorial". "Mbështetur në rezultatet e arritura, takimi e vlerësoi Presidencën shqiptare për realizimin me sukses të objektivave", u shpreh Basha. Ministri i Jashtëm shqiptar theksoi se u miratuan rregullat për rritjen e efektivitetit të organizatës së BEDZ-it, të cilat, sipas tij "synojnë që BEDZ-i t‘i përgjigjet me sukses kërkesave dhe sfidave të reja të bashkëpunimit rajonal". Gjithashtu, ministrat miratuan manualin e ri të Veprimit të Fondit të Zhvillimit të Projekteve të Organizatës. Sipas ministrit Basha "gjatë takimit u vlerësua kryesia shqiptare, për 55 aktivitetet e realizuara që kanë provuar më tej bashkëpunimin në rajonin e Detit të Zi". Në përfundim u zhvillua ceremonia e kalimit të kryesisë së radhës nga Shqipëria tek Armenia. Republika e Armenisë do ta fillojë zyrtarisht kryesinë më 1 nëntor 2008, për një periudhë 6-mujore deri më 30 prill.