E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet mocioni ndaj Topallit

Në politikën shqiptare është rikthyer debati për mocionin e shkarkimit të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Këtë herë, ishte kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, që e ka bërë një kërkesë të tillë, pas largimit nga qeveria, i cili, në mënyrë indirekte, bëri përgjegjëse Topallin për përjashtimin e partisë së tij. Qëndrimit të Ndokës i janë bashkuar edhe partitë opozitare si LSI-ja dhe PS-ja, por kjo e fundit shprehet pak mosbesuese ndaj nismave të tilla. Në fjalën e tij në Kuvend, Ndoka theksoi se "Jozefina Topalli duhet të largohet nga posti që mban padrejtësisht, jo se bën politikë të gabuar, sepse ajo nuk di të bëjë politikë, por se me sjelljet dhe qëndrimet e saj e ka banalizuar drejtimin e Parlamentit, duke u bërë personazh barsoletash dhe humori në të gjithë opinionin publik". Sipas Ndokës, Kryetarja e Kuvendit ka humbur çdo të drejtë morale për përfaqësimin dhe drejtimin e Parlamentit. "Duke e ditur mirë se në ambiciet e saj për pushtet nuk pranon asnjë rregull demokratik siç është dorëheqja, unë ftoj Parlamentin të gjejmë mekanizmat kushtetuese për largimin sa më parë të saj dhe kështu, për kthimin e dinjitetit të humbur të Kryesisë së Parlamentit", deklaroi Ndoka. Më tej, kryetari i PDK-së renditi dhjetë pika të cilat tregojnë se Kryetarja e Parlamentit duhet të largohet nga posti që mban. "Topalli, u shpreh Ndoka, përdor një gjuhë vulgare në Parlament, duke i humbur dinjitet Kuvendit, nxit krijimin e klimave konfliktuale në sallë dhe preferenca selektive ndaj ligjeve e nismave ligjore, ndaj zgjedhjeve dhe emërimeve që bëhen nga Parlamenti. Ndoka tha se ikja e saj do të ishte edhe një lehtësim i madh për mazhorancën dhe veçanërisht për PD-në.

Meta

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se prej muajsh LSI-ja është shprehur e gatshme që, në rast se grupi i PS-së do të riaktivizonte mocionin ndaj Topallit, sikurse u bë e ditur muaj më parë, do ta mbështeste. "Kjo gjë nuk ka ndodhur, u shpreh ai, por ne, në çdo moment kur mund të ndodhë, shprehemi të gatshëm që do ta mbështesim". "Sepse mendojmë se ka mjaft probleme serioze në funksionimin e Parlamentit dhe që kanë të bëjnë me shkeljen e parlamentarizmit dhe të gjitha procedurave demokratike", u shpreh Meta. Kreu i LSI-së nënvizoi se disa herë, Kryeministri Berisha ka dhunuar Parlamentin si institucion dhe Kryetarja, jo vetëm që nuk ka mbajtur qëndrim ndaj tij, por e ka favorizuar këtë sjellje arrogante dhe përçmuese të tij ndaj Parlamentit. "Ndaj jemi të bindur që Berisha, jo vetëm duhet të largohet tani, por duhet të ishte larguar me kohë, ndaj ne kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo iniciativë që synon largimin e tij, por kuptohet që pas 21 prillit kjo është shumë e vështirë", shtoi Meta. "Këtu, sqaroi ai, qëndron edhe arsyeja, përse Berisha i lutet opozitës për të bërë mocion mosbesimi, sepse pas këtyre ndryshimeve kushtetuese nuk duhen 71 vota, por 142". "Megjithatë, ne jemi të gatshëm jo vetëm për aktivitete në Parlament, por edhe jashtë Parlamentit, të cilat mund të kontribuojnë për largimin e tij para zgjedhjeve, sepse Berisha është një rrezik për zgjedhjet e lira", u shpreh Meta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›