E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Liria e medias, Shqipëria në listën afrikane

Drejtuesi i grupimit G99 shprehu shqetësim dje lidhur me raportin e fundit të "Reporterëve pa kufij", i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 79 në botë dhe në vendin e fundit në rajon për lirinë e mediave. Sipas tij, duhet të jemi të sinqertë, këtu ka një lajm të keq dhe një lajm të mirë. "Lajmi i keq është që Shqipëria është e fundit në rajon për lirinë e mediave. Lajmi i mirë është që Shqipëria renditet ndër vendet mesatare afrikane për lirinë e mediave", u shpreh Veliaj. Ai i kërkoi qeverisë shqiptare që të fillojë procedurat për heqjen e taksës së TVSH. "Dhe KKRT duhet të riformatohet, gjithashtu dhe policia e mendimit të zotit Berisha duhet të pushojë së funksionuari. Ndryshe e kemi të garantuar vendin në Unionin Afrikan me këtë renditje", u shpreh Veliaj. Sipas grupit të lobingut për lirinë e shtypit, "Reporterët pa kufij", Shqipëria renditet e fundit në rajon për lirinë e shtypit. "Vendi ynë renditet në vendin e 79, në shkallë botërore. Shqipëria renditet pas Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Ndër listën e 173 shteteve, Maqedonia ndodhet në vendin e 42, Kosova në vendin e 58, ndërsa Shqipëria është në vendin e 79", konstatoi Veliaj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›