Braçe: Uithers, shtysë për hetimin e Gërdecit
Partia Socialiste e sheh veten jashtë skandalit që ka përfshirë ambasadën amerikane në Tiranë, ku ambasadori Uithers u përfshi në hetimin që po bën kongresi amerikan për tregtinë e armëve mes Shqipërisë dhe kompanisë amerikane. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, tha se kjo çështje i duhet lënë në dorë drejtësisë amerikane. “Unë do të doja të thosha që kjo nuk është një çështje as e deputetëve të PS-së, as e grupit parlamentar të PS-së, kjo është një çështje e autoriteteve amerikane”, - tha Braçe. Ndërkohë ai vlerësoi punën për zbardhjen e të gjithë fakteve që lidhen me tragjedinë e Gërdecit, apo edhe me trafikimin e armëve. “Po e përsëris, një angazhim të cilin ne e kemi vlerësuar shumë si një element themelor mbështetës për sa u përket organeve të Prokurorisë shqiptare, për të çuar hetimin e kësaj çështjeje deri në fund, dhe më lejoni të citoj po prapë ambasadorin: “Për të dërguar përpara drejtësisë, cilindo që është përfshirë në akte korruptive dhe kriminale, pavarësisht statusit të tij politik””, - shtoi më tej Braçe. Edhe një herë ai vuri në dukje se ambasadori amerikan është një shtysë e rëndësishme për hetimet e ngjarjes së Gërdecit. “Kjo ka qenë shumë e rëndësishme për të çuar përpara hetimet, madje kjo ka qenë shumë e rëndësishme për të çliruar Parlamentin nga çdo impakt i mazhorancës së Sali Berishës, për të bllokuar hetimet lidhur me këto dy ngjarje. Pra, po e përsëri edhe njëherë që kjo është një çështje e autoriteteve amerikane. Ne kemi vlerësuar shumë rolin e ambasadorit Uithers në zbardhjen përfundimtare të kësaj historie dhe dërgimin para drejtësisë të të gjithë autorëve të kësaj ngjarjeje”, -përfundoi Braçe.