E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra e PS-së për OKB-në, Rama e anulon me urdhër nga Brukseli

Për të sulmuar rivalin politik, Kryeministrin Berisha, Partia Socialiste i sugjeron Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të sanksionojë Shqipërinë, për shkak se ka shkelur traktate ndërkombëtare për shitjen e armëve. Partia Socialiste bëri të ditur dje se do të niste dje një letër në adresë të Komitetit të Sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, “Amnesty International”, Rrjetit të Aksionit Ndërkombëtar për Armët e Vogla (IANSA), si dhe OXFAM. Në këtë letër, sipas socialistëve, jepen të dhëna për veprimet e Kryeministrit Berisha, që kanë shkelur traktate e vendime, kryesisht të OKB-së, duke trafikuar armë dhe lëndë të tjera në vende në konflikt. Por, duke qenë të vetëdijshëm për efektin e kësaj kërkese të habitshme, pasdite PS u tërhoq. Burime nga selia rozë thanë dje për “standard” se me urdhër të kryetarit të PS-së, Rama, që nga Brukseli, gjithçka është anuluar. Madje, pasdite nisën përpjekjet që mediat të mos botonin lajmin. Nuk dihet se cilat janë arsyet dhe kujt i ka tingëlluar keq në vesh kjo nismë e PS-së, por Rama, edhe pse ishte në dijeni të kësaj nisme, ka kritikuar publikimin e saj dhe ka urdhëruar bllokimin e menjëhershëm. Ndërkohë, hartuesit e letrës për të shmangur komentet janë treguar mjaft të kujdesshëm në artikulimin e idesë së tyre. Madje, ata theksojnë se letra nuk përmban asnjë kërkesë për këto institucione por vetëm u paraqet fakte. Sipas tyre, letra përmban vetëm ngjarje, fakte dhe pohime të Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, në kohë të ndryshme. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, tha dje se në këtë letër faktohet në mënyrë të qartë implikimi i Sali Berishës dhe qeverive të drejtuara prej tij në trafikim të armëve në zona të nxehta konflikti, në disa raste të pohuara edhe nga vetë Sali Berisha. Më tej, ai tha se Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e konsideron si detyrë prioritare denoncimin e këtyre veprimeve që bien ndesh me detyrimet e Shqipërisë që burojnë nga traktatet e marrëveshjet kombëtare dhe ndërkombëtare, duke distancuar me forcë Shqipërinë nga këto veprime të shtetarëve të korruptuar të saj, në radhë të parë të të cilëve qëndron Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Komiteti i Sanksioneve është një strukturë që funksionon brenda KS-së, i cili sugjeron vënien e sanksioneve ndaj shteteve që kanë shkelur rregullat ndërkombëtare. Nëse ky komitet i sheh sugjerimet e drejta vendos sanksione ekonomike, diplomatike etj. Nëse vihet një sanksion ndaj Shqipërisë, kjo do të ishte e rëndë, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për procesin e integrimit të saj në tërësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›