E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci, akti i shërbimeve sekrete"

Një diplomat perëndimor në Shkup deklaroi për agjencinë e lajmeve INA se shpërthimi i depos së armëve në Gërdec të Shqipërisë ishte një akt i realizuar nga shërbime sekrete të rajonit për të minuar anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO, sipas faqes në internet të agjencisë së sipërpërmendur. "Kjo është një vepër e qartë e përgatitur nga shërbime sekrete të rajonit të njohura si anti-NATO për të bllokuar anëtarësimin e vendeve të Kartës së Adriatikut dhe sidomos Shqipërisë në NATO, për të penguar proceset e paspavarësisë në Kosovë dhe për të krijuar kaos në Ballkan", deklaroi ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve INA, diplomati i një vendi prestigjioz. Sipas tij, kjo është vepër e një reagimi të dobët të strukturave të sigurimit shtetëror të Shqipërisë, të cilat nuk kanë qenë vigjilente në ndjekjen e situatës dhe parandalimin e masave të tilla që krijuan, siç theksoi ai, një katastrofë të rëndë në Shqipëri. Shërbimi sekret dhe Prokuroria Shqiptare nuk kanë dhënë ende asnjë detaj lidhur me ngjarjen tragjike të Gërdecit. Prokurorja shqiptare, Ina Rama, deklaroi se po grumbullohen të gjitha dokumentet dhe të dhënat e nevojshme për të zbardhur fatkeqësinë e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›