Gërdeci, prokuroria firmos urdhër-arrestet
Prokuroria ka lëshuar vetëm tre urdhër-arreste nga katër personat e shoqëruar për shpërthimin e Gërdecit. Këto urdhër-arreste janë ekzekutuar nga policia ditën e djeshme, duke vënë në pranga Mihal Delijorgjin, Dritan Minxhollin dhe Ylli Pinarin. Burimet zyrtare nga policia bënë të ditur se në vijim të njoftimeve, ku bëhej fjalë për shpërthimin e një sasie të madhe eksplozivi dhe municionesh në fshatin Gërdec, në orën 23.30 të dy netëve më parë, seksionet e posaçme të hetimit bënë ekzekutimin e urdhrave të ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për tre persona. "Në pranga përfunduan Mihal Pandeli Delijorgji, 42 vjeç, administrator i kompanisë që merrej me demontimin e lëndëve eksplozive, Dritan Siri Minxolli, 30 vjeç, drejtor ekzekutiv i kësaj kompanie dhe Ylli Ramazan Pinari, 55 vjeç, me detyrë drejtor i ndërmarrjes MEICO, në Ministrinë e Mbrojtjes. Këta persona u ndaluan për veprën penale të "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive", parashikuar nga neni 282/2 i Kodit Penal" deklaroi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Bashkë me ta, policia kishte shoqëruar edhe një person tjetër, por ai është lënë i lirë, pasi sipas hetuesve nuk ka pasur përgjegjësi penale për ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Gërdec.