Durrës, policia bllokon bizneset e Delijorgjit
Hetim bizneseve të Delijorgjit. Pas arrestimit të Mihal Delijorgjit, mëngjesi i djeshëm e ka gjetur firmën e tij "Përparimi sh.a" në Shkozet të Durrësit të rrethuar nga një kordon policor. Në ambientet e firmës që merret me import-eksport dhe tregti hekuri është ushtruar kontroll nga Prokuroria e Durrësit, në prani të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe asaj tatimore. Mësohet se janë marrë në dorëzim dokumente të firmës që do të vihen në dispozicion të hetimit. Që në mëngjes herët, pak pas fillimit të orarit të punës, firma "Përparimi sh.a" me nr.NIPT-i J81906504A është vënë nën kontroll të plotë së bashku me afro 25 punonjësit e saj. Askush nuk është lejuar nga policia të depërtojë brenda ambienteve të "Përparimit", që pas katër vjetësh përjeton të njëjtën situatë me atë të prillit të vitit 2004, kur prangosja e pronarit u shoqërua me kontrolle policore. Punonjësit i janë nënshtruar marrjes në pyetje për aktivitetin e firmës dhe të tjera hollësi që mund t‘i vlejnë hetimit të nisur për Delijorgjin dhe bizneset e tij. Brenda territorit të magazinës ka mjete ushtarake, të cilat firma e të arrestuarit i përdorte për skrap, në bazë të një marrëveshjeje të hershme me Ministrinë e Mbrojtjes. Aktiviteti i firmës zhvillohej në kushte sigurie të lartë nga masat e marra prej pronarit, ndërkohë që banorët e Shkozetit thonë se para disa muajsh aty është dëgjuar një shpërthim, për të cilin u tha se ka qenë një bombol gazi. Ndërkohë, në Durrës kanë mbërritur dhe ekspertë, hetues të Prokurorisë së Tiranës për të ndjekur procedurat e mëtejshme lidhur me hetimin e nisur për ngjarjen e Gërdecit dhe aktivitetin e Delijorgjit. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë vizitës së të strehuarve në Konvaleshencën e Durrësit, u shpreh se nuk ka informacion për veprimet që po kryhen në këtë firmë dhe se është organi i akuzës që po merret me zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Mihal Delijorgji, i arrestuar dy ditë më parë, është arrestuar edhe në prill të vitit 2004 nga agjentët e antikrimit të Durrësit për kontrabandë dhe falsifikim të dokumenteve shoqëruese të hekurit të importuar. Evazioni fiskal i aktivitetit të tij paraprakisht u vlerësua në një milion dollarë. Arrestimi u krye pas kallëzimit penal të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për Delijorgjin dhe firmën e tij "Përparimi". Arrestimi u bë në dalje të stadiumit "Qemal Stafa", ndërsa ishte në pritje të fillimit të një ndeshjeje futbolli mes Dinamos dhe Partizanit, i shoqëruar nga Albert Xhani dhe Koço Kokëdhima. Në shkurt të vitit 2004, Mihal Delijorgji fitoi tenderin në Ministrinë e Mbrojtjes për shkrirjen e të gjitha autoblindave, tankeve e mjeteve të tjera të ushtrisë, në fabrikën e tij për skrap. Ai bëhet president dhe sponsori kryesor i klubit të futbollit "Dinamo", një strukturë e Ministrisë së atëhershme të Rendit Publik në tetor të vitit 2002. Pas vrasjes së Florian Vilës, Delijorgji dhe firma e tij u bënë importuesit më të mëdhenj të hekurit për ndërtim në vend, duke kontrolluar pothuajse të gjithë tregun. I ardhur nga Dropulli i Poshtëm i Gjirokastrës, Delijorgji ndërtoi fabrikën e tij në Shkozet të Durrësit, për prodhim të skarave, rrjetave metalike, llamarinave etj.