Skandali, biznes me gjakun e fëmijëve
Pavarësisht dëshmive të shumë banorëve të fshatit për punishten primitive ku bëhej çmontimi i predhave, Kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk e kanë pranuar asnjëherë faktin se në "fabrikën e vdekjes" në Gërdec punonin edhe të mitur. Madje, ata kanë deklaruar se në fabrikën e Gërdecit punonin njerëz të trajnuar. Por faktet flasin ndryshe. "Top Media" ka siguruar pamje ekskluzive që jo vetëm hedhin poshtë këto deklarime, por janë një akuzë e fortë. Pamjet tregojnë fëmijë fare të mitur, të cilët punonin mes predhave dhe arkave me armatime e municione të tjera të rrezikshme. Pamjet shokuese akuzojnë strukturat përgjegjëse shtetërore për kushtet e punës në kantierin e çmontimit të predhave të rrezikshme në Gërdec. Fëmijët, të cilët duken qartë në pamjet filmike, punonin në një mjedis të rrethuar me llamarina dhe pa asnjë kusht sigurie për jetën.
Por edhe nga Durrësi vijnë dëshmi tronditëse mbi punësimin e fëmijëve në këtë fabrikë. "Punova vetëm një ditë atje. Nga mëngjesi deri në darkë. Ishte gruaja që më thoshte: ‘Shko e kërko punë atje. Të gjithë punojnë e fitojnë para në depo‘. Shkova. Fillimisht nuk më pranuan. Më thanë s‘ka punë. Para dy javësh shkova dhe u futa menjëherë në punë. Nuk u trajnova. Më futën në transport. Duhet të shtynim dy burra dhe një grua një karrocë të mbushur plot e përplot me predha. Ishte e vështirë pasi duhet të kujdeseshim që me gjithë atë ngarkesë të mos rrëzohej gjë nga karroca. Rrëzimi mund të sillte shpërthim. Më futën dhe në çmontim të predhave. Ne që ishim në transport duhet të bënim të tre 550 predha që të paguheshim 20 mijë lekë të vjetra në ditë. Atë ditë ne bëmë 467 dhe u pagova me 11 mijë lekë. Me llogaritë që bëra i binte 11 lekë të reja një predhë. Ishte një punë rraskapitëse. Me kokë në torbë dhe ku nuk vlerësoheshe. U ktheva në mbrëmje në shtëpi dhe i thashë gruas: ‘Unë do të lyp gjithë ditën, po atje s‘punoj më." Drejtuesit ishin të gjithë shqiptarë. Nuk kam parë të huaj, as kur kërkoja punë, as atë ditë që punova. Atje punonin fëmijë mbi 13 vjeç. I kam parë vetë", dëshmon Rasim Krasniqi, një nga punëtorët e punishtes që nuk ekziston më në Gërdec, pak kilometra larg Tiranës.