E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti i Helsinkit: ”Strategjia e migracionit nuk duhet të mbetet në letër”



Komiteti Shqiptar i Helsinkit paraqiti ditën e djeshme përfundimet e monitorimit mbi progresin e zbatimit të objektivave të parashikuara në kuadër të procesit të integrimit europian në fushën e politikave të migracionit dhe të menaxhimit të kufijve. Gjatë tryezës së organizuar me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse shtetërore, aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile, përfaqësues të organizatave të huaja dhe vendase që kontribuojnë në këtë fushë, Komiteti i Helsingit u ka “tërhequr veshin” institucioneve shqiptare. “Kemi evidentuar se pjesa me e madhe e banorëve të qyteteve nuk kanë informacione të mjaftueshëm për migrimin e rregullt, kësisoj qytetarët që emigrojnë bien viktima të punëve të zeza apo krimit në vendet pritëse. Strategjitë në drejtim të migracionit nuk duhet të mbeten në letër”, - tha Vasilika Hysi, drejtore e Komitetit të Helsinkit. Ditmir Bushati, ekspert i pavarur, foli mbi progresin e realizuar në fushën e politikave të migracionit, nga këndvështrimi i shoqërisë civile, ndërsa eksperti tjetër, Besnik Bakiu, u ndal në menaxhimin e kufijve. Komiteti i Helsinkit, si organizatë e të drejtave të njeriut dhe aktor aktiv në shoqërinë civile shqiptare, ka si mision të nxisë dhe të kontribuojë në arritjen e standardeve europiane në fushën e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të sigurojë një proces të hapur dhe transparent ndaj publikut lidhur me proceset e integrimit te Shqipërisë në BE.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›