E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i legalizimeve, çfarë ndryshimi kërkoi qeveria



Këshilli i Ministrave miratoi dhe kaloi në Kuvend ndryshime të shumta në ligjin për legalizimin e ndërtimeve informale, i cili u miratua me minimumin e votës parlamentare. Qeveria, me ndryshimet e bëra, i ka rritur kompetencat Agjencisë së Legalizimeve për të përshpejtuar dhënien e legalizimit si dhe kalimin sa më të shpejtë në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për t’u hipotekuar përfundimisht. Kryeministri Sali Berisha është shprehur se këto ndryshime kanë si synim përshpejtimin e këtij procesi. Fillimisht në legalizimin e ndërtimeve informale, hipotekimin e tyre, urbanizimin si dhe kompensimin e çdo ish-pronari që është ndërtuar në truallin e tij në mënyrë të paligjshme. Qeveria, me ndryshimet e djeshme, ka rritur ndjeshëm kompetencat e ALUIZNI-t, i cili do të zbatojë të gjithë procesin. Qytetarët duhet të ndjekin udhëzimet dhe çdo veprim do të bëhet me formular, pa u kontaktuar me zyrtarët. Mbas vetëdeklarimit të ndërtimit informal, dokumentacioni do të verifikohet nga ALUIZNI dhe ekspertët e tij do të dalin në terren për evidentimin e ndërtimeve pa leje për të parë nëse ka përputhje me vetëdeklarimin dhe fotografimin ajror, sipas ndarjes kadastrale. Ndërtimet informale që do të legalizohen sipas ligjit do të kenë një dokumentacion të plotësuar nga ALUIZNI, i cili do të japë edhe lejen e legalizimit. Përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI, në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore në të cilën është ngritur objekti informal. Agjencia kontrollon nëse objekti figuron i regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme, në pronësi të të tretëve dhe i dërgon Këshillit të Ministrave listën me të dhënat për çdo pronar dhe sipërfaqet takuese. Pas plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI miraton legalizimin e ndërtimit informal dhe lëshon lejen e legalizimit.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›