Nikoll Lesi propozon ligj për heqjen e imunitetit të ministrave
Kryetari i Lidhjes Demokristiane, Nikoll Lesi, deklaroi ditën e djeshme në ambientet e Kuvendit se një grup deputetësh maxhoritarë, të kryesuar nga vetë ai, do t’i paraqesin kryeministrit Sali Berisha propozimin e tyre, për heqjen e imunitetit të deputetit në rastet kur ky i fundit emërohet ministër. “Kjo kërkesë vjen si pasojë e ngjarjeve të fundit të ndodhura në jetën politike në vend dhe ka si qëllim të thjeshtojë dhe lehtësojë punën e Prokurorisë në rastet kur një ministër është i pandehur apo për më keq i akuzuar. Një ministër, sapo merr dekretin e presidentit për t’u bërë ministër, duhet të humbasë imunitetin. Çdo prokuror ta marrë të pandehur çdo ministër, pa sjellë kërkesë në Parlament”, - tha Lesi. Deputeti Lesi paralajmëroi njëkohësisht se nuk do të jetë në një koalicion qeveritar me ministrin Nard Ndoka. “Unë personalisht dhe lidhja demokristiane të cilën unë e përfaqësoj, nuk dalim në një podium dhe me të njëjtin koalicion elektoral, pjesë e të cilit do të jetë edhe Nard Ndoka. Pra në rast se Nard Ndoka do të vazhdojë të jetë sikurse edhe tani kryetari i PDK-së, nuk firmos koalicionin ku i pranishëm është edhe z. Ndoka. Nëse kryeministri Berisha do të zgjedhë në koalicionin e tij Ndokën, atëherë unë do të jem pjesë e koalicionit tjetër”, - tha Lesi.
1 Maj 2008