E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi nis procedurat për heqjen e imunitetit të Mediut



Erald Kapri

Kuvendi, nëpërmjet Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ka nisur procedurën për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Kryetarja e Kuvendit dhe e Këshillit, Jozefina Topalli, u shpreh se kërkesa do të shqyrtohet si dhe ish-ministri Mediu që akuzohet se ka ndikuar me veprime apo mosveprime për tragjedinë në fshatin Gërdec, do të ketë të drejtën të dëgjohet. “Fatmir Mediu ka të drejtën të dëgjohet në këtë këshill”, - tha Topalli. Shqyrtimi pritet të ketë vonesë për shkak se anëtari i Këshillit të Imuniteteve, republikani Arian Madhi, rekomandoi që kërkesa për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut të shoqërohet me dokumentacion shtesë nga ana e Prokurorisë. “Prokuroria të shoqërojë kërkesën për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut me dokumente, ku të ketë akuzat që i janë drejtuar atij”, - tha Madhi. Kërkesa e deputetit Madhi është pranuar nga kryetarja Topalli, e cila u shpreh se në mbledhjen e ardhshme do të nisë shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, ku Kuvendi do të ketë një raport të hollësishëm brenda 4 javëve.
Procedura
Procedurat parlamentare parashikojnë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili shqyrton dhe merr vendim për kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit republikan, Mediu. Tashmë pritet që të fillojë zbatimin neni numër 118 i Rregullores së Kuvendit, i cili parashikon shqyrtimin e kësaj kërkese nga Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, brenda 4 javëve harton një raport që i përcillet seancës plenare, në të cilin rekomandohet rrëzimi ose miratimi i dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit në fjalë. Ndërkohë, deputetët e Kuvendit vendosin me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.
Reagimet
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, reagoi menjëherë pas kërkesës së Prokurorisë, ku u shpreh se kërkesa në fjalë ka prapavijë politike. Ai tha njëkohësisht se kërkesa e Prokurorisë është tendencioze dhe e njëanshme. “Tendencioziteti duket edhe në përfundimet e hetimeve të deritanishme, sipas të cilave, Forcat e Armatosura, drejtuesit përkatës të tyre, kanë qenë njëkohësisht të përjashtuara nga procesi apo të urdhëruar, duke krijuar kështu një paradoks logjik në të gjithë përmbajtjen e kërkesës”, - është shprehur Mediu. Nga ana tjetër, Presidenti Bamir Topi është shprehur se Prokuroria po bën detyrën dhe kërkoi që të respektohet në lidhje me këtë.
Kërkesa
Kryeprokurorja Rama, në datën 25 prill, bëri publike kërkesën zyrtare të organit të akuzës drejtuar Kuvendit, për nisjen e procedurave të heqjes së imunitetit deputetit Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, me qëllim hetimin penal ndaj tij për ngjarjen e 15 marsit, në Gërdec të Bashkisë së Vorës. Prokuroria dërgoi në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu në mënyrë që institucioni i Akuzës të ketë mundësi që të ndjekë atë penalisht. Prokuroria e Përgjithshme i ka adresuar disa akuza deputetit republikan Fatmir Mediu. “Gjithçka në Gërdec është kryer në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore të demontimit të armëve, e ndihmuar kjo dhe nga urdhrat e dhëna nga ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu”, - është shprehur kryeprokurorja Ina Rama. Menjëherë pas miratimit të kërkesës për heqjen e imunitetit, ish-ministri i Mbrojtjes Mediu do të hetohet gjerësisht nga Prokuroria. Në bilancin e publikuar, tragjedia e Gërdecit përfshin 26 persona që kanë humbur jetën, rreth 250 të tjerë të plagosur, ndërsa dëmet materiale përllogariten në afro 2.4 miliardë lekë ose rreth 20 milionë euro. Për të gjitha këto organi i akuzës i kërkoi parlamentit heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut për të vazhduar më tej ndjekjen penale.

Presidenti estonez vlerëson potencialet turistike të Shqipërisë

Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në Estoni, u takua sot me Presidentin e Republikës Toomas Hendrik Ilves. Presidenti estonez shprehu vlerësimin e tij të lartë për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si dhe reformat në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe për krijimin e një klime të favorshme për biznesin. Ai u shpreh se zhvillimi i teknologjisë së informacionit është shumë i rëndësishëm, sepse u krijon njerëzve lirinë t’i bëjnë gjërat sa më thjesht, si dhe rrit transparencën në luftën kundër korrupsionit. Presidenti Ilves u shpreh se si njohës i vendit tonë, Shqipëria ka potenciale të mëdha, veçanërisht në fushën e turizmit. Ai theksoi se suksesi i Shqipërisë duhet të bëhet i njohur në mënyrë që të tërheqë sa më shumë investitorë estonezë. Kryeministri e njohu Presidentin estonez me reformat e ndërmarra në vend. “Ne kemi krijuar një klimë politike të mirë në Shqipëri. Së bashku me opozitën kemi filluar dhe së shpejti do të përfundojmë reformën në fushën e gjyqësorit, realizuam reformën elektorale dhe ndryshimet kushtetuese”, u shpreh Berisha gjatë takimit me Presidentin Estones. Njëkohësisht Berisha falënderoi Presidentin Ilves për rolin dhe qëndrimin e Estonisë për Kosovën, duke qenë një nga vendet e para që njohu pavarësinë e saj

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›